Lidhje

Mbetjet elektronike, problem serioz për Afrikën


Mbetjet elektronike, problem serioz për Afrikën
Mbetjet elektronike, problem serioz për Afrikën

Eliminimi i mbetjeve elektronike në formë të padëmshme për mjedisin është një problem në rritje në Afikë. Bota prodhon 50 milionë tonë mbetje elektronike në vit, por vetëm 25 për qind e kësaj mase riciklohet në vendin ku gjeneron. Shumë nga këto produkte elektronike dërgohen në Afrikë në formën e donacioneve ose artikujve për shitje. Pas një periudhe të shkurtër përdorimi, ato përfundojnë në zonat e grumbullimit të mbeturinave, ndërkohë që qeveritë kanë kapacitete të kufizuara ose jo-ekzistente për t’i ricikluar në forma që nuk dëmtojnë mjedisin. Por në Kenia, rregulloret e miratuara dhe një uzinë riciklimi janë në avangardë të përpjekjeve për riciklimin e mbetjeve elektronike në Afrikën lindore.

Një realitet i ri vërehet në Shkollën fillore Zonja e Nazaretit në një nga lagjet e varfra të Nairobit – është futur në përdorim kompiuteri.

Nxënësit kanë marrë kompiutera të përdorur, të dhuruar nga një organizatë evropiane jofitimprurëse. Këto pajisje janë pastruar, kontrolluar dhe ri-formatuar për t’u përdorur këtu dhe në institucione të tjera. Por pjesa më e madhe e kompiuterave që sillen në Afrikë nuk janë me cilësi kaq të lartë.

Ester Muiria Uakira është teknologe e specializuar për fushën e arsimit. Ajo punën për oganizatën Nisma Globale Elektronike për Shkollat dhe Komunitetet. Organizata financohet nga Kombet e Bashkuara për të ndihmuar vendet në zhvillim të përdorin teknologjinë elektronike për të përmirësuar sistemet arsimore.

“Për fat të keq, kur vijnë kompiuterat e dhuruar, ata kanë një fazë të shkurtër përdorimi prej ndoshta 1-2 vjetësh. Por edhe gjatë kësaj kohe kanë kosto të lartë mirëmbajtjeje, pasi prishen shpesh”.

Zonja Uakira thotë se problemi më i madh është se pas 1 apo 2 vjetësh, pjesa më e madhe e kompiuterave të dhuruar përfundojnë në vende për grumbullim plehrash.

Mbetjet elektronike përfshijnë pajisje elektrike dhe elektronike të vjetëruara ose të padëshirueshme më nga përdoruesi, të cilat kanë dalë jashtë përdorimit. Më e keqja është se vendet afrikane nuk kanë kapacitetet për të përpunuar plumbin, kadmiumin, mërkurin dhe përbërësit e tjerë toksikë që janë në përbërjen e mbetjeve elektronike.

Shumë nga produktet e përdorura elektronike të Afrikës vijnë nga vende evropiane, qoftë në formën e donacioneve ose produkteve për shitje. Por një pjesë e mirë e tyre përfundojnë në pirgjet e plehrave, pasi bëhen shpejt të papërdorshme.

Nilli Kros është nën-presidente e Bashkimit Evropian. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se vendet evropiane kanë ligje të forta kundër hedhjes së produkteve elektronike në plehra në vend apo jashtë shtetit dhe u kërkohet t’i riciklojnë ose t’i përpunojnë në mënyrë që nuk dëmton mjedisin. Ajo thotë se ka rëndësi që qeveritë afrikane të përpunojnë si duhet mbetjet elektronike:

“Pa dyshim, këtyre vendeve në zhvillim u vjen për mbarë të mendojnë fillimisht për zhvillimin dhe nxitjen ekonomike, pra të tërheqin sa më shumë produkte elektronike dhe aktivitet në internet, me mendimin se do të merren me problemet e mbetjeve më vonë”.

Afrika e Jugut është i vetmi vend afrikan që ka parametra ligjorë specifikë për mbetjet elektronike. Kenia ka rregullore për këto mbetje që pritet të miratohen si ligje brenda 2 vjetësh.

Kenia është gjithashtu në krye të prirjes në Afrikën lindore për riciklimin e mbetjeve elektronike. Në Nairobi, Qendra për Mbetje Elektrike dhe Elektronike ka ricikluar më shumë se 4000 kompiutera që nga krijimi i saj në vitin 2007.

XS
SM
MD
LG