Lidhje

Mbi 50 të plagosur në protestat kundër ndërtimit të një linje hekurudhore midis Italisë dhe Francës


Mbi 50 të plagosur në protestat kundër ndërtimit të një linje hekurudhore midis Italisë dhe Francës
Mbi 50 të plagosur në protestat kundër ndërtimit të një linje hekurudhore midis Italisë dhe Francës

Më shumë se 50 vetë u plagosën sot, kur njerëzit që protestonin kundër ndërtimit të një linje hekurudhore të shpejtësisë së lartë midis Italisë dhe Francës hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj policisë gjatë përleshjeve në një luginë alpine.

Së paku 46 policë dhe pesë protestues u plagosën në përleshjet në afërsi të sheshit të ndërtimit, kur grupi i demonstruesve arriti atje duke prerë drurët dhe kaluar gardhin.

Policia bëri të paktën pesë arrestime dhe përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë qindra protestuesit. Një grup tjetër demonstruesish u ndesh me policinë në qytetin Chiomonte.


Mijëra njerëz kanë organizuar marshime kryesisht paqësore në luginën Suza, pranë Torinos, në përpjekje për të parandaluar ndërtimin e një tuneli që ata thonë se do të dëmtojë mjedisin.

Franca dhe Italia nënshkruan një marrëveshje në vitin 2001 për ndërtimin e linjës me shpejtësi të lartë për modernizimin e transportit ndërmjet dy prej ekonomive më të mëdha të Evropës.

Fermerët në luginën Suza e kanë kundërshtuar me forcë projektin prej 15-miliard eurosh, i cili është mbështetur nga qeveria italiane dhe nga administrata lokale.

XS
SM
MD
LG