Lidhje

Diplomacia e gjelbërimit


Diplomatë nga 12 vende u mblodhën rishtazi për të mbjellur pemë në Uashington, pranë Qendrës Kulturore Ndërkombëtare ku gjenden shumë misione diplomatike. Ata u bënë pjesë e nismës së Departamentit amerikan të Shtetit, të quajtuar “Nisma për Diplomacinë e Gjelbërimit”.

“Po shtojmë disa pemë në këtë qytet të bukur,” u shpreh ambasadori austriak Hans Peter Manz.

Diplomati austriak është zhvendosur nga një vend në tjetrin për çdo pesë vjet. Ai e konsideron këtë një mundësi për të përjetuar kulturën amerikane të fqinjëve që punojnë së bashku.

Diplomatët i mbollën pemët në Qendrën Kulturore Ndërkombëtare të Departamentit të Shtetit, ku ndodhen 21 misione të huaja.

“Vetë Princi i Monakos është shumë i dhënë pas çështjeve mjedisore dhe mendoj që mbjellja e pemëve është një demonstrim i mirë i dedikimit tonë ndaj mjedisit,” thotë përfaqësuesi i Monakos.

Departamenti i Shtetit e filloi nismën për Diplomacinë e Gjelbërimit në vitin 2009, për të përmirësuar objektet nga ku zhvillon aktivitetin e tij.

Landon Van Dyke thotë se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj mjedisit në mbarë botën.

“Po shkëmbejmë eksperiencat dhe po mësojmë nga vende të tjera ku gjenden ambasadat tona.”

Ministri i Ekonomisë i Nigerisë vuri në dukje se vendi i tij po përballet me problemin e zgjerimit të shkretëtirës.

“SHBA-ja nuk ka shumë shkretëtira si pjesa veriore e Afrikës, por megjithatë po e parandalon shtrirjen e shkretëtirës duke mbjellë më shumë pemë.”

Ndihma teknike u dha nga “Casey Trees”, një organizatë jofitimprurëse që synon të nxisë gjelbërimin e Uashingtonit.

Mbjellja e pemëve ndoshta nuk është rutina e përditshme e punës së diplomatëve, por ata shijuan eksperiencën.

“Do ishte mirë nëse kështu do të ishte rutina jonë e përditshme. Është më e shëndetshme se sa të rrish para kompjuterit duke u munduar të përthithësh informacionin e përditshëm”, thotë ambasadori i Austrisë.

Ishte një mundësi për të bërë miq të rinj.

Zonja Toure e Ambasadës së Monakos thotë se këtu u takua për herë të parë me Jose Corrales nga Ambasada e Hondurasit.

“Sapo jam njohur me Josen, me të cilin punojmë në fakt në të njëjtën ndërtesë dhe nuk jemi takuar kurrë më parë.”

“Puna i mbledh njerëzit së bashku. Është kënaqësi të shikosh komunitetin e diplomatëve të bëjnë diçka ndryshe duke bashkëpunuar për një qëllim të përbashkët.”

Diplomatët mbollën 31 pemë, të paguara nga ambasadat pjesëmarrëse.

XS
SM
MD
LG