Lidhje

"Mbretëresha Afrikane" dhe popullariteti i futbollit në Afrikë

  • Jeff Swicord

"Mbretëresha Afrikane" dhe popullariteti i futbollit në Afrikë

"Mbretëresha Afrikane" dhe popullariteti i futbollit në Afrikë

Fanatikët e futbollit vazhdojnë të arrijnë në Afrikën e Jugut nga i gjithë globi. Por kontinenti i Afrikës ka edhe ai pjesën e vet në vorbullën gjigante për të reklamuar këtë sport të dashur për miliona. Në shumë vende të Afrikës, futbolli është jeta dhe çdo gjë tjetër vërtitet rreth tij. Do të njihemi tani me portretin e një tifozeje që jeton në Johannesburg dhe pikërisht në komunitetin e imigrantëve nga Bregu i Fildishtë.

E lindur dhe e rritur në Bregun e Fildishtë, ajo shet arturina të rralla afrikane. Klientët e saj janë nga gjithë bota, nga Nju Jorku në Hong Kong. Ajo shëtit në gjithë kontinentin në kërkim të veprave të rralla të artit, si këto dyer të punuara me dorë nga Kameruni.

"Kjo është kopje, jo origjinal, por dikur vendosej në hyrje të pallatit të mbretit."

Mbretëresha Afrikane është edhe një tifoze e çmëndur, diçka që e ka trashëguar nga vendlindja e saj, Bregu i Fildishtë.

"Tek ne, njerëzit qajnë për futbollin kur humbasim. Futbolli është vetë jeta jonë. Prandaj edhe unë fillova ta dua futbollin."

Gjashtë muaj më parë, kur po afronte Botërori, asaj i lindi një ide. Vendosi të bëjë kukulla prej druri në formën e lojtarëve dhe ti piktoronte me ngjyrat e 32 ekipeve të Botërorit.

"Fillova t’ua tregoj klientëve 4 muaj para Kupës së Botës dhe ata i pëlqyen kështu që vendosa t’i prodhoj në seri."

Ajo krijoi 100 mijë kukulla në fabrikën e familjes që ka në Bregun e Fildishtë. Tani i kanë mbetur vetëm tre mijë.

"Këta janë lojtarë të Bregut të Fildishtë, Drogba, Didier Drogba."

Didier Drogba, i cili është nga qyteti i saj i lindjes, sot njihet si golshënuesi më i mirë në ligën e parë të Anglisë. Në këtë Botëror, ai luan me Elefantët, domethënë me ekipin e Bregut të Fildishtë. Por Mbretëresha e ka zemrën të thyer sepse Elefantët nuk arritën të hyjnë në gjashtëmbëdhjetëshe.

Mbretëresha ka edhe një hotel të sajin në Johannesburg. Natën që Elefantët humbën ndaj Brazilit 3 me 1, në hotel kishin zënë dhoma disa brazilianë. Humbja ishte e hidhur por nuk ke ç’i bën.

"Brazilianët erdhën të zinin dhoma në këtë hotel të Bregut të Fildishtë, tamam natën kur na mundën. Unë u thashë, sonte do ta keni keq punën, por ata ma kthyen, “do ta shohim kur të mbarojë ndeshja”. Doli se ata patën të drejtë. S’kisha ç’bëja. Ditën tjetër u thashë vetëm kaq, për ju sot nuk ka kafe, nuk do t’ju jap mëngjes," tregon ajo me të qeshur.

Ky Botëror ka qenë i vështirë për ekipet afrikane. Vetëm Gana arriti të hyjë në fazën e dytë. Dhe megjithëse ganezët fituan dje ndaj Amerikës, Mbretëresha thotë se nuk do të shohë më futboll. Sepse i dhemb zemra të shikojë një ekip afrikan të humbasë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG