Lidhje

Mbretëresha Elizabetë II, 60 vjet në fronin britanik

  • Rudina Dervishi

Mbretëresha Elizabetë II, 60 vjet në fronin britanik

Mbretëresha Elizabetë II, 60 vjet në fronin britanik

Sot mbushen 60 vjet që nga momenti kur Mbretëresha Elizabetë e Anglisë hipi në fron, pas vdekjes së të atit, Mbreti George VI. Me këtë rast Britania është përfshirë në festime për jubileun e shënuar:

Elizabeta II e Anglisë e mori fronin në shkurt 1952 në moshën 25 vjeçare. Në vitin 1947 ajo u martua me Phillip Mountbatten me të cilin ka katër fëmijë, Princin e Walesit, Charles, Princeshën Anne, Dukën e Jorkut, Princin Andrew dhe Princin Edward të Wessex-it. Ajo është një ndër monarkët që kanë sunduar më gjatë në Evropë.

Biografja dhe komentatorja Ingrid Seward thotë se sundimi i saj karakterizohet nga përkushtimi ndaj detyrës:

“Ajo mund të jetë pjesëtarja e fundit e familjes së saj që tregon një përkushtim të tillë. Ajo e ka vënë detyrën para vetes, për t’i shërbyer popullit të saj”.

Gjatë qëndrimit në fron, Mbretëresha Elizabetë ka përjetuar ndarjen e Princesësh Anne me Mark Phillips, Princit Andrew me Sarah dhe Princit Charles me Princeshën Diana.

Sipas publicistit Charles Kidd, këto kanë qenë goditje të forta për mbretëreshën.

“Mbretëreshës i është dashur të ballafaqohet me prishje martesash në familjen mbretërore. Ajo është edhe kreu i Kishës Anglikane dhe besoj se një gjë e tillë e ka prekur, por duhet ta pranojmë se edhe pjesëtarët e familjes mbretërore janë njerëz”.

Analistë të mbretërisë si Charles Kidd mendojnë se vëmendja që ajo i kushton protokollit mbretëror mund të ketë fshehur dhe zbehur rolin që ajo ka luajtur për modernizimin e monarkisë. Ndryshimi më revolucionar u shfaq gjatë vizitës së Mbretëreshës në Australi për takimin e Krerëve të Komonuelthit. Ajo e shfrytëzoi atë forum për të mbështetur ndryshime në ligjet e trashëgimisë së fronit, duke lejuar vajzën më të madhe të ishte e para në radhë për të hipur në fron, qoftë edhe para djalit, si dhe për të lejuar martesat me katolikë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, katolikët nuk kanë të drejtën të hipin në fronin britanik.

“Ajo është mbretëreshë me vizion. Ajo nuk do të bëhet pengesë e barazisë mes trashëgimtarëve, kur është fjala për radhën e trashëgimisë së fronit”.

Sipas stilistëve, një ndër arsyet e popullaritetit të mbretëreshës është edhe sensi i saj i stilit.

“Ajo zgjedh ngjyra shumë të bukura, pra ka një sens të guximshëm në zgjedhjen e ngjyrave. Mjafton të shohësh garderobën që zgjodhi për turneun në Australi, ku kishte plot veshje ngjyrë rozë, vjollcë të çelët, të kombinuara me kapele. Ishte një prezantim sensacional”.

Në këtë përvjetor Mbretëresha do të ndjekë festime të bujshme, ndër të cilat një koncert në Pallatin Buckingham, një paradë në lumin Tamiz, ku anija e Mbretëreshës do të kryesojë një flotilje me një mijë anije. Festimet do të kurorëzohen me një shërbesë falenderimesh në Katedralen e Shën Palit për 60 vjetorin e sundimit të Mbretëreshës Elizabetë II.

XS
SM
MD
LG