Lidhje

Mbrojtja e trenave dhe metrove nga sulmet terroriste

  • Kris Simkins
  • Uashington

Mbrojtja e trenave dhe metrove nga sulmet terroriste

Mbrojtja e trenave dhe metrove nga sulmet terroriste

Operacioni ushtarak amerikan në vendstrehimin e Osama bin Ladenit në Pakistan thuhet se ka zbuluar planet e al-Kaidës për të sulmuar trenat në Shtetet e Bashkuara. Masat e sigurisë janë shtuar përreth stacioneve të trenave dhe sistemeve të metrove. Kronika në vazhdim i hedh një vështrim dobësive të sistemit hekurudhor amerikan dhe si autoritetet po përdorin gjithnjë e më shumë qentë për t’u ruajtur nga sulmet e mundshme terroriste.

...Ky qen i racës së përzier Labrador dhe Retriever i quajtur Levi, është qen që nuhat bombat. Ai është stërvitur të gjejë eksplozivë të fshehur në çanta dhe valixhe.

Levi është një nga qentë e njësive K-9 që ruajnë trenin e shpejtë Amtrak. Ata ruajnë rreth mijëra pasagjerë që udhëtojnë çdo ditë me linjat që lidhin qytetet amerikane. Inspektori i policisë së Amtrakut Uilliam Parker:

"Këta qenë janë vija e parë mbrojtëse dhe ne i kemi përdorur që në vitin 2007 kur filluam zgjerimin e programit tonë. Ata udhëtojnë me trena, kontrollojnë çantat e pashoqëruara për të parë nëse ka diçka të dyshimtë" , - thotë Parker.

Pesëmbëdhjetë nga këta qenë janë stërvitur posaçërisht për të zbuluar lëndët eksplozivë të atyre që mund të kryejnë sulme vetëvrasëse. Përveç udhëtimit në tren, qentë e stërvitur patrullojnë stacionet më të mëdha të trenave në vend. Zoti Parker thotë se njësitë K-9 po japin një kontribut të madh:

"Nëse një qen kryen 150 kontrolle në muaj dhe nuk ndodh asnjë incident, kjo do të thotë se ai po bën punë të mirë."

Qentë që nuhasin bombat përdoren për ruajtjen e sistemeve të metrove në qytetet e mëdha. Por shpërthimet e bombave si ato në Madrid në vitin 2004 ku mbetën të vrarë 191 persona dhe bombat në metronë e Londrës në vitin 2005 theksojnë faktin se sa të mundshme janë sulmet terroriste në trenat e pasagjerëve. Riçard Maloni është zëdhënës për sistemin e trenave në qytetin e Filadelfias:

"Ne i kuptojmë dobësitë e një sistemi të hapur transporti për publikun, i cili duhet të mbetet i hapur në mënyrë që të funksionojë dhe që njerëzit të mund të shkojnë në punë e në shkollë", - thotë ai.

Zyrtarët amerikanë të rendit thonë se informacionet e mbledhura nga shtëpia e Osama bin Ladenit tregojnë se al-Kaida ka konsideruar mundësinë e sulmit ndaj sistemit hekurudhor amerikan me rastin e 10-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Zyrtarët thonë se plani i al-Kaidës ishte edhe që të ndërhynte tek linjat hekurudhore, me shpresën që një tren do të dilte nga shinat në një urë apo luginë. Riçard Klark është analist kundër terrorizmit.

“Është e pamundur të ruash mijëra kilometra shina. Për terroristët është shumë më e lehtë të gjejnë një vend që nuk është i ruajtur mirë dhe të vonë eksplozivë se sa të marrin nën kontroll një aeroplan."
Kevin Linç, ish shef policie i transportit hekurudhor të mallrave, pajtohet. Ai thotë se një sulm terrorist ndaj rrjetit hekurudhor amerikan mund të ndërpriste tregëtinë në të gjithë vendin:

"Vënia në shenjestër e infrastrukturës hekurudhore është lëvizje më e zgjuar nga ana e terroristëve sepse bëjnë më shumë dëm me më pak mund.”

Zyrtarët e rendit kanë rritur vigjilencën për të parandaluar çdo lloj përpjekjeje nga ana e al-Kaidës për të sulmuar hekurudhat e vendit apo sistemet e metrove.

XS
SM
MD
LG