Lidhje

Mbyllet gazeta "News of the World", përhapet skandali në Britani


Mbyllet gazeta "News of the World", përhapet skandali në Britani
Mbyllet gazeta "News of the World", përhapet skandali në Britani

Manjati i medias, Rupert Murdoch ndodhet në Londër për t’u përballur me skandalin e përgjimit të bisedave telefonike që detyroi mbylljen e gazetës së tij, News of the World. 80-vjeçari Murdoch mbërriti dje në zyrat e kompanisë së tij në Londër, duke mbajtur në dorë një kopje të edicionit të fundit të gazetës 168-vjeçare. Por mbyllja e gazetës nuk ka të ngjarë t’i japë fund skandalit që po shtrihet thellë në shoqërinë britanike.

Zëvendës kryeministri britanik, Nik Kleg i bëri thirrje Rupert Murdokut që të rishqyrtojë përpjekjet e tij për të blerë kompaninë e transmetimeve BskyB, duke cituar revoltën në masë që pasoi skandalin e përgjimit të telefonave, i cili përfshiu gazetën News of the World.

Zv/kryeministri Kleg tha se zemërimi i publikut e bën të rëndësishme që zoti Murdoch "të ndërmarë hapin e duhur", siç u shpreh ai, dhe të rishqyrtojë ofertën e tij për të blerë pjesën tjetër të aksioneve të kompaninë fitimprurëse BskyB.

"Lidhur me ofertën për firmës BSkyB, Rupert Murdok është tani në Londër. Unë do t’i thosha atij që të shikojë reagimin e njerzve dhe të ndërmarrë veprimin e duhur dhe të rishqyrtojë ofertën për të blerë transmetuesin BSkyB".

Zoti Murdok zotëron 39 për qind të BskyB-së, por synon të blejë pjesën tjetër të këtij transmetuesi fitimprurës satelitor.

Komentet e zv.kryeministrit Kleg pasojnë takimin e tij me familjen e 13 vjeçares Milly Dowler, e cila u vra në vitin 2002, dhe telefoni i saj u përgjua, në kohën që familja dhe policia kërkonin pa pushim për të.

Thuhet se punonjës të gazetës News of the World zhdukën disa mesazhe nga telefoni i saj, duke krijuar shpresa të kota tek prindërit e saj se ajo ishte ende gjallë.

Rupert Murdok, kompania e të cilit News Corp ka në pronësi disa gazeta britanike, përfshirë edhe News of the World, mbërri dje në Londër për të kryesuar punën e kompanisë së tij në përgjigje të skandalit.

Sekretari britanik i Kulturës Jeremy Hunt, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e ofertës së ofruar nga zoti Murdok, tha se do të kërkojë këshillë nëse skandali ngre pikpyetje rreth liçencës së transmetimit të kompanisë News Corp.

"Nuk ka njeri që nuk do të revoltohej nga disa prej ngjarjeve që kemi përjetuar gjatë ditëve të fundit. Ato janë tepër të neveritshme dhe të gjithë jemi të tronditur. Gazetaria britanike kanë një traditë të gjatë pozitive dhe të përjetojë diçka të tillë është me të vërtetë për të ardhur keq. Mund të më duhet të shqyrtojë të gjitha faktet dhe të kërkoj këshillë rreth një vendimi për shkrirjen e pronësisë së transmetuesit BSkyB".

Edhe Partia Laburiste e opozitës shtoi presionin. Udhëheqësi i saj, Ed Miliband, po përpiqet të hedhë në votë në Dhomën e Përbashkët një mocion, që i kërkon qeverisë të shtyjë marrjen e vendimit lidhur me transmetuesin BSkyB.

"Kemi të bëjmë me një çështje tjetër që ka dalë në dritë dhe ajo është provimi i personit të duhur dhe të përshtatshëm. Madje kjo është një çështje e thjeshtë dhe unë nuk do të pushoj deri sa të sigurohem se oferta për transmetuesin BskyB nuk finalizohet para përfundimit të hetimeve kriminale".

Vlera e aksioneve të transmetuesit BSkyB ra ndjeshëm sot mes dyshimeve lidhur me aftësinë e News Corp për të marrë kontroll të plotë.

Komentet e zyrtarëve britanikë pasuan protesta të shumta nga publiku.

Por personeli i gazetës thotë se vetë gazetarët janë edhe më të zemëruar pasi vendimi për mbylljen e News of the World vë në rrezik rreth 200 vende pune.

Ivor Gaber, profesor i gazetarisë në Universitetin e Qytetit të Londërs, thotë se emri i News of the World është helmuar.

“Është interesant fakti që ky njeri nuk ka ndjenja. Njerzit thonë, “Si mund ta mbyllë ai një gazetë 160 vjeçare”? Fare e lehtë. Ai është biznesmen dhe mer vendime biznesi. Ai nuk kontrollon median në çdo vend të botës, por në të njëjtën kohë është vështirë të udhëtosh nëpër botë pa u ndeshur me prodhime mediash pronë e Rupert Murdokut".

Akuza të ndryshme që datojnë nga viti 2002 kanë shtuar presionin ndaj kompanisë së zotit Murdok, madje kanë ekspozuar fuqinë e perandorisë së medias së tij në shoqërinë britanike. Dhe mbyllja e gazetës News of the World nuk ka të ngjarë t’i japë fund skandalit.

XS
SM
MD
LG