Lidhje

Mbyllet takimi i nivelit të lartë të vendeve të kontinentit amerikan



Udhëheqës nga Amerika Latine, Karaibet dhe Amerika e Veriut i dhanë fund takimit të nivelit të lartë të vendeve të kontinentit amerikan në Kartagjenë të Kolumbisë. Çështja e pjesëmarrjes së Kubës në takimet e ardhshme i pengoi udhëheqësit të dilnin me një deklaratë të përbashkët.

Presidenti Barack Obama shpresonte që takimi i tij i dytë i nivelit të lartë i vendeve të kontinentit amerikan do të përqendrohej kryesisht tek temat e zgjerimit të integrimit dhe partneritetit në gjithë kontinentin.

Si Shtetet e Bashkuara edhe Kanadaja u përballën me presion lidhur me përjashtimin e vazhdueshëm të Kubës. Të dy vendet thonë se Kuba nuk duhet të marrë pjesë derisa të plotësojë standardet demokratike.

Protestuesit në rrugët e Kartagjenës demonstruan kundër politikës amerikane ndaj Kubës.

Të shtunën, Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos u tha udhëheqësve se ka ardhur koha që izolimi i Kubës të marrë fund dhe e cilësoi embargon amerikane të tregëtisë, një anakronizëm.

Presidenti Obama foli për çështjen e Kubës në konferencën e tij për shtyp me zotin Santos, duke thënë se Kuba duhet të marrë masa drejt demokracisë dhe respektit të plotë për të drejtat e njeriut.

“Ne e pranojmë që mund të ketë një shans në vitet e ardhshme, ndërsa Kuba fillon të shqyrtojë hapat drejt garantimit të mirëqenies dhe mundësive për popullin e vet, të fillojë të heqë disa nga kufizimet në vend. Një gjë e tillë do të ishte e mirëpritur”.

Udhëheqësit rajonalë i paraqitën gjithashtu zotit Obama argumenta për të shqyrtuar rrugë alternative për luftën ndaj drogës që shumë njerëz e konsiderojnë joefektive, përfshirë dekriminalizimin e drogës për të frenuar dhunën.

Presidenti Santos tha se synimi nuk ishte që çështja e dhunës së lidhur me drogën të mbizotëronte diskutimet në Kartagjenë. Ai tha se diskutimi i hapur për këtë çështje ishte një arritje me rëndësi.

“Ne diskutuam hapur për këtë çështje, dëgjuam qëndrimet e zotit Obama, të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera që u diskutuan të gjitha në tryezë dhe mendoj se ky ishte hap pozitiv, nëse mund të gjejmë mënyra më efektive dhe mekanizma më pak të shpenzueshëm për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin e organizuar, le të punojmë në këtë drejtim”.

Zoti Obama e diskutoi çështjen e drogës me një nga propozuesit e dekriminalizimit, presidentin e Guatemalës Otto Perez Molina dhe me presidentin e Perusë.

Në një aktivitet të fundit para se të largohej nga Kartagjena, Presidenti Obama mori pjesë me presidentin Santos në një ceremoni për nder të programit të qeverisë kolumbiane për t’i kthyer tokën njerëzve të shpërngulur nga grupet e armatosura, përfshirë milicitë paraushtarake dhe guerriljet e FARC-ut.

Pjesëmarrja e një presidenti afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara në një ngjarje të tillë, ishte e rëndësishme në vendin e dytë për nga numri i popullsisë zezake në Amerikën Latine, pas Brazilit.

Presidenti Obama theksoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kolumbinë, përfshirë ndihmën për sigurinë, ndërsa vazhdon përpjekjet për t’u dhënë fund konflikteve dhe për të rimëkëmbur ekonominë. Ai tha se kjo është pjesë e politikës së tij për të ndërtuar partneritete të barabarta në kontinentin amerikan.



XS
SM
MD
LG