Lidhje

Mbyllja e mundshme e Ngushticës së Hormuzit dhe alternativat për transportin e naftës

  • Phillip Wellman

Ngushtica e Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit

Rreth 40% e naftës së tregtuar në rrugë detare në botë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me oqeanin Indian dhe që kufizohet me Iranin e Omanin. Irani kërcënon se do ta mbyllë këtë rrugëkalim. Çdo mbyllje e kësaj rruge detare strategjike do të sillte ngritjen e çmimeve të naftës dhe do të kishte një ndikim të dukshëm në ekonominë globale.

Tashmë një ndër vendet prodhuese të naftës në Gjirin Persik thotë se ka hapur një rrugë tjetër.

Në fillim të këtij muaji, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se një tubacion i ri për transportimin e naftës, i aftë të tërheqë rreth 1.5 milion fuçi nafte në ditë nga fushat naftëmbajtëse të Abhu Dabit deri në brigjet e Oqenit Indian, do të futet në punë brenda muajit qershor. Emiratet prodhojnë faktikisht rreth 2.5 milionë fuçi në ditë.

Specialisti i çështjeve të naftës në Kuvait Mousa Arafi tha se prodhues të tjerë të Gjirit duhet të nisin projekte të ngjashme.

“Tubacioni që po ndërtojnë Emiratet është vetëm për Emiratet. Por një zgjidhje e tillë nevojitet edhe për eksportet e Kuvaitit, Arabisë Saudite dhe Katarit”.

Irani është zotuar se do të mbyllë “përfundimisht” Ngushticën e Hormuzit nëse do të vendosen sanksione të reja ndaj programit të tij bërthamor që e ndalojnë atë të shesë naftën bruto jashtë vendit.

Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione më të ashpra kundër Iranit, duke shpresuar se lëvizje të tilla do ta detyrojnë këtë vend të braktisë programin e tij bërthamor. Perëndimi beson se programi i Iranit ka si qëllim prodhimin e armëve bërthamore, por Teherani këmbëngul se ky program është vetëm për qëllime paqësore.

Bashkimi Evropian ra dakort që të vendoset embrago ndaj naftës iraniane që nga muaji korrik. Ky hap pason sanksione të ngjashme për të cilat kanë rënë dakord edhe Shtetet e Bashuara.

Sipas zotit Marafi, kërcënimet e vazhdueshëm nga Teherani theksojnë dobësinë e prodhimeve të naftës në Gjirin Persik.

“Është një paralajmërim që tubacioni është i nevojshëm. Dhe ne duhet që ta mbarojmë atë sa më shpejt. Kjo është e rëndësishme për të gjithë botën”.

Analistë të tjerë thonë se Irani është ai që do të vuajë më shumë nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit. Iraniantë janë të varur nga shkëmbimet tregtare në këtë ngushticë. Nën peshëne sanksioneve të fundit, Irani ka përjetuar inflacion të menjëhershëm dhe zhvlerësim të monedhës.

Sean Evers i firmës Gulf Intelligence beson se Irani ka të ngjarë që të mos e mbajë premtimin e tij për të mbyllur Ngushticën.

“Realiteti është se kjo zonë ka jetuar me një sërë rrethanash të paqëndrueshme dhe të paqarta gjatë historisë së këtyre 50 viteve të fundit dhe për asnjë moment Ngushtica e Hormuzit nuk u mbyll”.

Analisti i naftës Simon Wardell thotë se kostoja e lartë e ndërtimit të tubacioneve e bën këtë alternativë të paleverdisshme krahasuar me transportin përmes Ngushticës.

“Duke menduar që është një sasi prej 16 – 17 milion fuçi nafte në ditë për t’u transportuar, do të duhet një kapacitet shumë i madh tubacionesh që duhet të vendosen në terren”.

Zoti Wardell thotë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera nuk do të lejonë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit për një kohë të gjatë. Aleatët perëndimorë kanë njoftuar se ata do të ndërrmarin veprime të menjëhershme ndaj çdo tentative të Iranit për të ndalur transportin e naftës.

“Është në interesin e shumë vendeve- Kinës, Amerikës, Europës- që të sigurohen që Ngushtica të qëndrojë e hapur, ndaj mundësitë janë që ajo do të mbetet e hapur”.

Për momentin, rreth 17 milionë fuçi nafte kalojnë çdo ditë në Ngushticën e Hormuzit ndërsa një luftanije amerikane patrullon në ujrat e zonës për të siguruar trasnportin e sigurt të naftës.

XS
SM
MD
LG