Lidhje

Hetime mbi shkaqet e mbytjes së anijes me migrantë


Më shumë se 700 migrantë mendohet se kanë humbur jetët këtë javë në tre incidente të ndryshme kur anijet e tyre u mbytën në Detin Mesdhe ndërsa përpiqeshin të shkonin në Evropë, thotë agjencia e OKB-së për refugjatët. Policia italiane ka rrestuan kapitenin e një anije, i identifikuar si një sudanez 28 vjeçar, pas dëshmive nga të mbijetuarit.

Mendohet se qindra migrantë mund të jenë mbytur në Detin Mesdhe kur një anije që po tërhiqej nga rimorkiatori, u përmbys të enjten, sipas zëdhënëses së organizatës “Save The Children”. Zëdhënësja Giovanna Di Benedetto thotë se shumica prej tyre ishin nga Eritrea dhe mes tyre kishte shumë gra dhe fëmijë.

“Nga dëshmitë e migrantëve del se mbrëmjen e së mërkurës dy anije peshkimi dhe një gomone u nisën nga Sabratha. Anija më e madhe e peshkimit kishte rreth 500 vetë në bord dhe po tërhiqte një anije më të vogël peshkimi pa motor që po transportonte rreth 400 vetë. Anija e dytë filloi të fundosej nga e enjtja dhe vetëm pak njerëz arritën të shpëtojnë pas prerjes së litarit të anijes që e tërhiqte.”

Policia italiane ka ndaluar të premten katër të dyshuar kontrabandistë. Njëri prej të ndaluarve është një sudanez 28 vjeçar që dyshohet se ka organizuar trafikimin e njerëzve ku qindra vetë supozohet se kanë vdekur. Ka patur njoftime të ndryshme lidhur me incidentin, ku policia italiane thotë se rreth 100 migrantë figurojnë ende të zhdukur, ndërsa agjencia e OKB-së për refugjatët beson se numri është afro 500 njerëz.

Carlota Sami, zëdhënëse e UNHCR i tha në telefon agjencisë së lajmeve Associated Press se rreth 550 migrantë figurojnë ende të zhdukur nga anija e përmbysur mëngjesin e së enjtes pasi ishte nisur nga porti Sabratha në Libi një ditë më parë. Ajo tha se anija, e cila kishte rreth 670 njerëz në bord, nuk kishte motor dhe po tërhiqej nga një anije tjetër po ashtu e mbushur me migrantë, para se të përmbysej.

Rreth 25 njerëz arritën me not tek anija e parë dhe kanë mbijetuar, 79 të tjerë u shpëtuan nga anijet patrulluese ndërkombëtare ndërsa u gjetën 15 trupa të pa jetë. Policia italiane thotë se secila anije ishte e mbushur me rreth 500 migrantë dhe kur anija e dytë që tërhiqej filloi të mbushej me ujë, 300 migrantë ishin të bllokuar në pjesën ku mbahet ngarkesa dhe kuptohet se janë mbytur.

Sudanezi i arrestuar për trafikimin, u identifikua nga të mbijetuarit si drejtuesi i anijes që po tërhiqte anijen që u përmbys. Të mbijetuarit thanë se ai kishte dhënë urdhërin për këputjen e litarit pasi anija ishte fundosur tërësisht në ujë.

Zëdhënësja e organizatës “Save The Children” Giovanna Di Benedetto tha se numri i përgjithëshëm i migrantëve që po humbasin jetët ndërsa përpiqen të futen në Evropë po përkeqësohej.

XS
SM
MD
LG