Lidhje

Senatori McCain mbi ndikimin rus në Ballkan


Senatori John McCain, ish-kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të 2012, thotë se konflikti në Siri dhe Irak ka dëshmuar se Rusia po përpiqet të militarizojë krizën e refugjatëve dhe të përçajë Bashkimin Evropian. Ky qëndrim i Moskës ka krijuar përplasje mes Rusisë dhe Perëndimit. Në një intervistë për korrespondenten Milena Gjurgjiç të shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, ai flet edhe mbi përpjekjet e Moskës për të ushtruar ndikim në Ballkan.

Senatori John McCain foli për ndikimin rus në Serbi, ku qeveria ka deklaruar synimin për të qëndruar neutrale në përplasjet mes Rusisë dhe Perëndimit, duke thënë se mund të ndërtojë marrëdhënie konstruktive me të dyja palët.

“Mendoj se kryeministri Vuçiç ka mbajtur qëndrim shumë të fortë, duke i rezistuar presionit rus. Presioni rus është shumë i ndryshëm nga presioni amerikan. Ne nuk duam gjë nga Serbia, thjesht duam që të bëhet një demokraci më funksionale. Ndërsa Rusia do të ketë një ndikim dominues, gjë që krijon një sfidë shumë të vështirë. Mund të them se përgëzoj faktin që kryeministri Vuçiç i ka rezistuar presidentit Putin, por e kuptoj se ndodhet përballë një presioni të konsiderueshëm dhe duhet të tregohet shumë i kujdesshëm”.

Në këto kushte, thotë senatori, kanë rëndësi përpjekjet amerikane për t’iu kundërvënë mesazhit rus, pasi një pjesë e madhe e ndikimit të Moskës vërehet në media:

“Mendoj se nëse Serbia mund të qëndrojë apo jo neutrale varet në një masë të madhe nga veprimet e Vladimir Putinit. Shumë nga aktet e presionit që po ushtron Rusia mbi Serbinë lidhen me median, me informacionin, me propagandë. Prandaj duhet t’u kundërvihemi veprimeve të tilla me punën e agjencive si Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë që mund të shërbejnë për t’iu kundërvënë mesazhit rus”.

Lidhur me Malin e Zi, senatori John McCain thotë se ndikimi rus është i kufizuar më së shumti tek investimet ekonomike, dhe se malazezët e kanë bërë të qartë prirjen e tyre perëndimore:

“Nuk besoj se ka ndonjë dyshim se Mali i Zi siguroi antarësim në NATO, pasi pjesa më e madhe e malazezëve mbështesnin me forcë aderimin në NATO. Prandaj nuk shoh ndonjë influencë ruse që të ndikojë tek zhvillimet politike në vend. Ajo që shoh është pronësi ruse, rusë që kanë prona në Mal të Zi. Këtë e di, pasi shoh shumë rusë të shëndoshë, që pijnë duhan, të veshur me kostume të ngushta banjoje në Mal të Zi. Pra e di që ka ndikim të ndjeshëm ekonomik nga rusët. Por nga ato që di për këtë vend sharmant është se Mali i Zi do integrim evropian dhe se antarësimi në NATO u mbështet nga shumica dërrmuese e popullatës”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG