Lidhje

Misioni i ODIHR-it: Nuk jemi arbitër i zgjedhjeve


Në Shqipëri misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it tha sot se qëllimi i tij është të vlerësojë respektimin e standarteve në zgjedhjet e 23 qershorit dhe jo të bëjë arbitrin duke përcaktuar legjitimitetin apo jo të zgjedhjeve. Në paraqitjen e parë për mediat, drejtuesja e këtij misioni, Conny McCormack evitoi të komentonte situatën e krijuar në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve pavarësisht se tha se e kishte të qartë gjendjen


Misioni i ekspertëve të ODIHR-it nisi sot takimet e para zyrtare në Tiranë. Drejtuesit e tij u treguan shumë të kujdesshëm në deklaratat e tyre përpara shtypit edhe sepse për momentin kontaktet e tyre me realitetin konkret janë thuajse zero. Për këtë arsye edhe drejtuesja e misionit, eksepertja amerikane Conny McCormak shpjegoi vetëm aspektet e përgjithshme të rolit te tyre: "Qëllimi i misionit është të vlerësojë zgjedhjet e ardhshme dhe përputhjen e tyre me angazhimet e Osbe-së dhe standartet e tjera për zgjedhje demokratike e legjislacionin vendas.Ekipi do të bëjë një vlerësim të kuadrit ligjor, mënyrën se si do të administrohen zgjedhjet, regjistrimin e votuesve, zbatimin e tekonologjive të reja zgjedhore, mbulimin mediatik dhe fushatën elektorale".

Aktualisht në Tiranë ndodhet ekipi i ekspertëve, ndërsa javën që vjen do të mbërrijnë edhe 30 vëzhgues afatgjatë që do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë. Katër ditë përpara votimit pritet të vijnë edhe 400 vëzhgues afatshkurtër që do të ndjekin hapjen e votimit dhe zhvillimin e tij si dhe procesin e nxjerrjes së rezultatit. Vëzhguesit afatgjatë do të qëndrojnë në Tiranë deri në mesin e korrikut."Roli i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it është që të monitorojë dhe të raportojë fajtet e jo të ndërhyjë në procesin zgjedhor. Ne nuk marrim rolin e arbitrit zgjedhor e nuk përcaktojmë nëse zgjedhjet janë legjitime apo jo. Puna dhe metodika jonë është e bazuar në parimet e paanësisë dhe objektivitetit".

Një raport paraprak vlerësimi do të paraqitet të nesërmen e ditës së votimit. Drejtuesit e Misionit të ODIHR-it thanë se ai do të jetë rezultat i vlerësimeve edhe të misioneve të tjera. Misionit të ODIHR-it në fakt do t’i bashkangjitet edhe ai asamblesë parlamentare të OSBE-së që do të drejtohet nga parlamentari sloven Roberto Battelli. Ekipi i ekspertëve të ODIHR-it evitoi të shpjegonte se cila do të ishte marrëdhënia mes dy misioneve dhe pesha e secilit në raportin mbi zgjedhjet, ashtu sikurse evitoi të komentonte edhe situatën e krijuar në komisionin qëndror të Zgjedhjeve. Ndonëse tha se e kishte të qartë gjendjen e krijuar dhe se bëhej fjalë për “një cështje fluide”, zonja McCormack u rezervua të shprehej për momentin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG