Lidhje

A duhet McDonald’s të sponsorizojë Lojrat Olimpike?


Spektatorët e uritur por edhe disa atletë vërshojnë për McDonald’s në Olimpiket e Londrës

Kur sprinteri xhamajkian Usain Bolt fitoi medaljen e artë në 100 metra për meshkujt në Olimpiket e Londrës të djelën, ai u tha gazetarëve se kishte ngrënë McDonald's paradite. Ishte një publicitet i mirë për kompaninë që sapo hapi restorantin më të ngarkuar në Lojrat Olimpike.

I cilësuar si McDonald's më i madh dhe më i ngarkuar në botë, restoranti dy katësh u grit për vetëm 6 javë dhe është mobiluar me karrige ku mund të ulen 1,500 njerëz.

Dhe karriget nuk kanë qënë bosh. Mijëra vetë kanë gjetur pushim mes lojrave për të zënë rradhën për një McDonalds.

Në kohën më të ngarkuar, punonjësit u shërbejnë gati 1 mijë klientëve në orë. Deri në fund të lojrave, McDonald's thotë se do të shërbejë gati 50 mijë sanduiç Big Mac.

Në një konference shtypi në Parkun Olimpik, shefi ekzekutiv i kompanisë për Britaninë, Jill McDonald tha se ka qënë një rrugë e gjatë.

“Filluam të punojmë për Olimpiket në Britani 5 vjet më parë. Pra është shumë ngazëlluese të hysh në restorante dhe të shohësh punonjësit tepër të ngarkuar, të shohësh atletët, median dhe klientët të blejnë ushqim dhe ta shijojnë. Është kënaqësi të shohësh realizimin e punës.”

McDonald's ka sponsorizuar Lojrat Olimpike për gati 40 vjet. Aktivistët dhe ekspertët e ushqimit kanë qënë kritikë duke thënë se nuk është e drejtë për kompaninë të reklamojë shëndetin dhe sportin.

Ata thonë se ushqimi është i yndyrshëm dhe me pak vitamina.
McDonald nuk është dakort.

“Nuk mendoj se është një kritikë e drejtë pasi ne ofrojmë një menu të pasur nga e cila njerëzit mund të zgjedhin si pjesë e një stili jete të balancuar. Pra kemi mjaft llojshmëri në menutë tona.”

Por në rrugët e qytetit, disa londinezë i thanë Zërit të Amerikës se nuk ishin shumë të kënaqur që McDonald’s po sponsorizonte lojrat.

“Ka një farë kontradite të mendodh që gjigandi i ushqimit fast-food të sponsorizojë atletë të një nitë lartë, që ndoshta nuk e prekin me dorë McDonald's.”

“Nuk jam dakort që një korporatë e madhe, e cila dihet se nuk nxit një mënyrë të shëndetshme jetese, të përfshihet në sponsorizimin e ngjarjeve të mëdha sportive si Olimpiket.”

Të tjerë e shohin ndryshe.

“E them me ndershmëri se korporata të tilla të mëdha, janë në gjendje të sponsorizojnë ngjarjet të tilla pasi kanë shumë para. E kuptoj përse kjo mund t’i mërzisë disa njerëz që një firmë e ushqimit jo të shëndetshëm të sponsorizojë ngjarje sportive por fatkeqësisht kjo është mënyra si funksionon bota.”

Ky McDonald's u krijua vetëm për lojrat, për të ushqyer dhjetra mijëra vetë që vijnë çdo ditë në Parkun Olimpik. Restoranti do të shembet kur të mbarojnë lojrat dhe 75 përqind e materialeve do të ripërdoren në restorantet e tjera të McDonald’sit në Britani.
XS
SM
MD
LG