Lidhje

Më pak se 100 ditë nga Lojërat Olimpike të Londrës

  • Henry Ridgwell

Kanë mbetur më pak se 100 ditë nga Olimpiada e Londrës. Anembanë botës, shumë konkurrentëve u duhet ende të kualifikohen për të marrë pjesë në gara, ndërsa qindra mijëra spektatorë po bëhen gati të shkojnë në kryeqytetin britanik.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Londrës zhvillohet më 27 korrik, e pasuar nga 16 ditë aktivitete të ankthshme sportive.

Por a është Londra gati? Sebastian Coe, atleti britanik, fitues i dy medalje të arta olimpike, është kryetar i komitetit organizues i Olimpiadës së Londrës 2012.

“Mbi të gjitha kjo nënkupton se mbetet ende një punë jashtëzakonisht e madhe për t’u bërë, por unë mendoj se fakti që na kanë mbetur më pak se 100 ditë nga fillimi i turneut, është me rëndësi. Është ndryshe kur themi se duhen ende disa vjet që të zhvillohet një ngjarrje e tillë, por kur bëhet fjalë vetëm për ditë, unë do të thosha se është me të vërtetë shumë afër”.

Parku Olimpik pothuajse ka përfunduar. Qendra ujore është e gatshme për notarët si amerikani Michael Phelps, i cili këtë rradhë do të përpiqet të thyejë rekordin e tij me 14 medalje ari.

Në lindje të Londrës, objekte të tjera olimpike janë thuajse gati për ditën e hapjes së olimpiadës.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Jacques Rogge vizitoi këto qendra dhe shprehu mendimin e tij.

“Qysh tashmë, para fillimit të Lojërave, ka një trashëgimi të objekteve sportive dhe kjo është një trashëgimi reale. Ne si Komitet Olimpik Ndërkombëtar jemi të kënaqur”,
Por jo të gjithë pjesëmarrësit janë të kënaqur. Këtu njerëzit prisnin për paraqitjen e dokumentave të emigracionit në aeroportin Heathrow të Londrës. Disa udhëtarë shprehën zemërim dhe vendosën fotografi në internet.

Ligjvënësit britanikë paralajmërojnë se vizitorët e Lojërave Olimpike mund të përballen me pritje të gjata në rradhë para zyrave të emigracionit apo në aeroplanë. Qeveria këmbëngul se ka marrë masa dhe do të jetë gati për këtë aktivitet ndërkombëtar. Një terminal i përkohshëm është ndërtuar posaçërisht për konkurrentët olimpikë.

Ka gjithashtu shqetësime rreth trafikut nëpër rrugë dhe turmave të njerëzve në mjetet e transportit publik gjatë Lojërave.

Një tjetër shqetësim është siguria. Ministria e Mbrojtjes ka në plan të aktivizojë 13 mijë e 500 ushtarë për Olimpiadën. Numri total i personelit të sigurisë është rreth 23 mijë 700 dhe buxheti i sigurisë është dyfishuar, duke arritur në 882 milionë dollarë.
Analisti i çështjeve të sigurisë, David Rubens thotë se Londra mund të bllokohet plotësisht.

“Është shumë e vështirë të ruhet ekuilibri midis një aktiviteti të hapur dhe mikpritës dhe menaxhimit të sigurisë. Kjo është ndryshe nga ajo që ndodhi në Vankuver, është gjithashtu ndryshe nga ajo që ndodhi në Pekin. Dhe njerzit përgjegjës për këtë balancë do të jenë në dilemë nëse kanë marrë të gjitha masat e duhura. Nëse diçka nuk shkon mirë, atëhere ata nuk kanë bërë si duhet punën e tyre”.

Dhe përgjigja do të dihet fare mirë pas më pak se 100 ditësh. Për Londrën, për konkurentët dhe për 300 mijë vizitorët, që priten të vijnë në kryeqytetin britanik, Olimpiada 2012 është shumë afër.

XS
SM
MD
LG