Lidhje

Putin bën thirrje për shtyrjen e referendumit në Lindje të Ukrainës


Presidenti rus Vladimir Putin u bëri thirrje separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore të shtyjnë një referendum për shkëputje të caktuar për të djelën.
Duke folur sot pas një takimi në Moskë me kreun e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, zoti Putin tha se po e bënte kërkesën në mënyrë që të krijojë kushtet e nevojshme për dialog me qeverinë ukrainase.
Ndërsa zoti Putin fajëson autoritetet e Kievit për krizën, duke i akuzuar ata se erdhën në pushtet përmes një grush-shteti dhe dështuan të çarmatosin radikalët e krahut të djathtë dhe elementët nacionalistë, ai tha se kriza duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur "duke marrë në konsideratë interesat e të gjithë qytetarëve ukrainas, kudo që ata jetojnë".
Separatistët pro-rusë në rajonin e Ukrainës lindore të Donetskut kanë planifikuar një referendum për të djelën, duke u kërkuar votuesve të thonë po ose jo për krijimin e një republike të pavarur të popullit të Donetskut.

Media në Ukrainë njofton se forcat qeveritare kanë përzënë militantët pro-rusë nga një ndërtesë qeveritare në qytetin lindor port të Mariupolit.

Sipas njoftimeve, kryengritësit u tërhoqën nga ndërtesa e Bashkisë sot herët në mëngjes, pas një beteje gjatë natës me forcat ukrainase të sigurisë.

Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një ofensivë kundër separatistëve pro-rusë që kanë marrë nën kontroll mbi 10 qytete në Ukrainën lindore javët e fundit. Ata kanë premtuar se do të mbajnë një referendum të dielën e ardhshme, për të vendosur nëse do të shkëputen nga Ukraina dhe të bashkohen me Rusinë.
Një referendum i ngjashëm në Krime në mars, solli si rezultat aneksimin e gadishullit nga Rusia dhe krizën aktuale.
XS
SM
MD
LG