Lidhje

TV Rain dhe liria e medias në Rusi


Liria e medias në Rusi gradualisht është duke u kufizuar nën presidentin Vladimir Putin, ndërkohë që qeveria e tij ka rritur pronësinë shtetërore, ndikimin, dhe kufizimet ndaj raportimeve kritike. Televizioni, mediumi përmes të cilit shumica e rusëve informohen, ka qenë objektivi kryesor i qeverisë dhe tani është pothuajse tërësisht nën kontrollin shtetëror. Por në kryeqytetin rus, TV Rain është kanali i vetëm që nuk është pjesë e propagandës së Kremlinit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Daniel Schearf njofton nga Moska.

Kanali privat TV Rain është një nga transmetuesit e pakët në Rusi që vazhdon të jetë i gatshëm të transmetojë rregullisht pikëpamjet kritike ndaj politikës së Kremlinit.

"Ne nuk jemi një kanal i motivuar politikisht. Nuk e shohim si qëllim kryesor tonin sfidimin e klasës politike. Ne thjeshtë përpiqemi të jemi sa më objektiv. Pra, ky është qëllimi ynë".

Pavarësia e kanalit TV Rain është një nga pikat tërheqëse të shumë anëtarëve të personelit të tij, duke përfshirë edhe disa prej atyre që u larguan nga mediat shtetërore pas rritjes së kontrollit të Kremlinit ndaj të tyre.

"Unë në fakt rreth një muaj para ngjarjeve në Krime u largova nga kanali Russia Today. Ndjeva se gjërat atje po kontrolloheshin gjithnjë e më shumë. Unë kam punuar aty që nga fillimi i kanalit dhe për mua ky zhvillim ishte shqetësues".

Por, refuzimi për të mos iu nënshtruar autoriteteve ka ardhur me një çmim për TV Rain.

Presioni politik mbi një program që hidhte dyshime mbi strategjinë sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore, çoi në pezullimin e kanalit nga rrjeti kabllor në vitin 2014.

Shumica besojnë se programi ishte thjeshtë një justifikim.

"Unë besoj se pezullimi i kanalit nuk kishte të bënte me programin mbi rrethimin e Leningradit, ata do të mund të kishin përdorur një justifikim tjetër. Pezullimi kanalit ishte thjeshtë çështje ditësh apo javësh".

Për të mbijetuar, TV Rain u detyrua të ndryshonte transmetimin në një model interneti me abonim.

Numri i abonentëve është rritur në mbi 70.000, dhe faqja e tyre e internetit merr miliona klikime në muaj.

Por, së bashku me të gjitha mediat ruse, TV Rain po përballet me një mori kufizimesh.

"Ne mbulojmë gjithçka që nuk shkel ligjet ruse. Por, në disa raste, ligjet bien ndesh me çështjet e lirisë së shprehjes".

Ndërkohë, TV Rain është në kërkim të programeve argëtuese për të rritur audiencën, përfshirë të rinjtë në Rusi, përtej bazës së tij urbane, liberale, dhe më të arsimuar.

XS
SM
MD
LG