Lidhje

Presidenti Nishani takohet me gazetarët

  • Ilirian Agolli

Zoti Nishani organizoi një takim me gazetarë, ku theksoi se shoqëria ka nevojë që të mbështetet nga media e vet kombëtare

Në Tiranë presidenti Bujar Nishani u bëri thirrje mediave vendore që të bëhen zëdhënëse të qytetarëve dhe të shkruajnë për problemet e përditshme.

Zoti Nishani organizoi një takim me gazetarë, ku theksoi se shoqëria ka nevojë që të mbështetet nga media e vet kombëtare.

Politika dhe fushatat zgjedhore nuk duhet të marrin nga mediat hapësirat e jetës së përditshme të qytetarëve, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u bëri sot thirrje mediave vendore që “të pasqyrojnë dhe të shkruajnë më shumë për çështjet e përditshme të jetës së qytetarëve”. Në një takim me përfaqësues të mediave kryeqytetase për festat e fundvitit, presidenti Nishani u kërkoi mediave që “të bëhen zëdhënëse të qytetarëve, që kanë nevojë për këtë mbështetje të domosdoshme”.

Zoti Nishani tha se “viti 2013 është një vit zgjedhor, me shumë angazhime mediatike”, por ai u kërkoi përfaqësuesve të gazetarëve që në valën e fushatave dhe garave mediatike “të mos lënë pas dore dhe të mos heqin vëmendjen nga problemet e përditshme të qytetarëve”.

Presidenti Nishani vlerësoi mediat vendase për guximin në përballjen me sfidat e përditshme, duke theksuar se edhe ai i përket asaj pjese të shoqërisë shqiptare, që mbështet dhe nxit gazetarët në punën e përditshme dhe në misionin e tyre qytetar dhe demokratik, megjithë sfidat e shumta.

Vëzhgime periodike të pavarura sidomos gjatë fushatave zgjedhore, e kanë kritikuar median shqiptare për njëanshmëri politike, mbivlerësim të garave partiake dhe lënie pas dore të çështjeve sociale dhe ekonomike të vendit. Edhe nga vetë përfaqësues të medias, gazetat dhe televizionet shihen sot rëndom si mjete në duart e partive për të sulmuar kundërshtarët, si dritare ku pak ose aspak gjejnë pasqyrim të paanshëm profesional shqetësimet e përditshme të komunitetit dhe qytetarëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG