Lidhje

Demokratët në Sharlot me “kuvendin më të hapur në histori”


Kjo është arritur pjesërisht nga gazetarët e të ashtuquajturës “media e re” që ofrojnë njoftime përmes internetit

Demokratët e mbledhur në Sharlot të Karolinës së Veriut për të emëruar Presidentin Barack Obama si kandidatin e tyre për një mandat të dytë, premtuan se ky aktivitet do të ishte “kuvendi më i hapur në histori.” Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, kjo është arritur pjesërisht nga gazetarët e të ashtuquajturës “media e re” që ofrojnë njoftime përmes internetit.

E ardhmja e medias mund të gjendet pas mureve të një prej ndërtesave më të vjetra të qytetit Sharlot.

“Po ta krahasosh atë me të gjithë krijuesit e informacioneve dixhitale, e gjithë e ardhmja e medias ka qënë me të vërtetë një eksperiment interesant.”

Eksperimenti, i njohur me akronimin PPL, po kryhet nën drejtimin e Bruce Clark-ut. Ai e quan atë “zyrë alternative lajmesh” për ato media që nuk mund të hyjnë dot në Kuvendin e Partisë Demokrate.

“Epoka dixhitale na ka lejuar të kapërcejmë mure dhe të paraqesim informacione për ata njerëz që nuk mund ta marrin këtë informacion nga mediat tradicionale.”

Në këtë dhomë, vetëm pak blloqe larg kuvendit, ka gazetarë që shpërndajnë informacione përmes shkrimeve në internet, Tweeter-it, apo ka edhe regjisorë të pavarur si Tim Grant.

"Media e re” ka ndryshuar mbulimin e kuvendit. Aftësia për të dërguar me Tweeter, gjithshka sheh ose për të bësh një fotografi në çdo moment, krijon mundësi të pafundme. Në se kërkon në Tweter për fjalën “kuvend i demokratëve” të dalin me qindra mesazhe çdo minutë.”

Gjatë natës së parë të Kuvendit Kombëtar Demokrat kjo shifër nuk ishte në qindra, por me mijëra, duke vendosur rekorde të reja, thotë Adam Sharp, i kompanisë Twitter.

“Para se Michelle Obama të fillonte fjalimin e saj, ajo kishte thyer rekordin e Kuvendit Kombëtar Republikan. Në fund të fjalimit të saj, në Twitter bëheshin 28 mijë komente për minute, gati dyfishi i Mitt Romney-it, dhe një fakt interesant, sa dyfishi i fjalimit të bashkëshortit të saj mbi gjendjen e vendit në fillim të këtij viti.”

Zoti Sharp thotë se shërbimi Twitter, i cili u mundëson përdoruesve të dërgojnë dhe lexojnë mesazhe, ka ndryshuar mënyrën se si politikanët, gazetarët dhe producentët tërheqin audiencat e tyre.

“Ne kemi kaluar nga një cikël lajmesh pa pushim gjatë 24 orëve, në një sistem me vetëm 140 gërma.”

Por ndërsa regjisori Tim Grant mirëpret këtë lloj përhapje dhe shkëmbimi informacioni, ai thotë se kjo ka anën e vet negative.

“Nuk ka më editim dhe përzgjedhje dhe në një farë mënyre ato janë të dëmshme, pasi nuk di se për çfarë të kërkosh, nuk di se kujt informacioni t’i besosh dhe kujt jo. Por nga ana tjetër, në se të duhet ndonjë informatë, atë e gjen menjëherë, nuk ke nevojë të presësh nga ato pak rrjete lajmesh.”

Dhe këto rrjete lajmesh duhet të konkurojnë tani me “median e re” që arrin të tërheqë audiencën me një kosto tepër të ulët.
XS
SM
MD
LG