Lidhje

Mediat ruse kthehen drejt internetit në prag të zgjedhjeve

  • Rudina Dervishi

Mediat ruse kthehen drejt internetit në prag të zgjedhjeve

Mediat ruse kthehen drejt internetit në prag të zgjedhjeve

Ndërkohë që shumë punonjës të mediave ruse mendojnë se rrjetet e mëdha televizive kontrollohen nga qeveria, ata thonë se gazetat, stacionet e radiove dhe mediat në internet gëzojnë liri relative, në shumicën e rasteve falë përmasave dhe qëllimeve të kufizuara të tyre. Ata parashikojnë masa edhe më të rrepta nga Kremlini, nëse zoti Vladimir Putin rikthehet në postin e presidentit të vendit pas zgjedhjeve të 4 marsit.

Gazetarët e pavarur rusë shprehen shumë të shqetësuar mbi ndikimet negative të ligjeve qeveritare mbi punën e tyre. Ata thonë se janë viktima të politikave të qeverisë dhe se sipas tyre situata do të jetë edhe më e vështirë nëse, pas zgjedhjeve presidenciale të 4 marsit, Kryeministri Putin do të rikthehet në krye të Kremlinit.

Alexei Venediktov, që ka drejtuar për 14 vitet e fundit rrjetin radiofonik liberal “Jehona e Moskës”, ka frikë se radioja, e krijuar nga grupi mediatik i kontrolluar nga qeveria, Gazprom Media, mund të humbasë pavarësinë.

Ky stacion radiofonik ka shërbyer deri tani pa shumë probleme si një platformë për elitën liberale ruse, por ndërkohë që kundërshtimet ndaj zotit Putin shtohen, qeveria mund të fillojë ta shohë atë si një kërcënim të madh.

“Unë nuk mund të parashikoj të ardhmen dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të 4 marsit, por mundësia që gjërat të shtrëngohen qëndron. Ashtu si është e mundur që gjërat të përmirësohen. Mendoj se gjithçka do të varet nga procesi zgjedhor dhe nga mënyra se si vendi do të reagojë ndaj rezultatit të këtyre zgjedhjeve, pra nëse do ta pranojë apo jo legjitimitetin e Presidentit të ri.”

Kryeredaktori i televizionit të pavarur “TV Rain”, Mikhail Zygar, beson se ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis mungesës së lirisë së medias në Rusi dhe përpjekjeve të qeverisë për të siguruar fitoren në zgjedhjet presidenciale të zotit Putin.

“Vitin e kaluar, pas protestave në sheshin Bolotnaia dhe në rrugën Sakharov shumë njerëz filluan të besojnë se po ndodhte një revolucion televiziv dhe se çdo gjë ishte e mundur. Ata mendonin se rrjetet televizive do të fillonin të thonin vetëm të vërtetën dhe do të njoftonin mbi protestat e opozitës. Por, kjo nuk ndodhi.”

Gazetat, stacionet e radiove dhe mediat në internet gëzojnë liri relative, në shumicën e rasteve falë përmasave dhe qëllimeve të kufizuara të tyre. Anna Kachkayeva e Departamentit të Komunikacionit në Universitetin e Ekonomisë thotë se rrjetet e mëdha televizive kanë qenë gjithmmonë të kontrolluara nga qeveria e cila i përdor për të reklamuar politikat dhe kandidatët e saj.

“Politikat kanë qenë gjithmonë të tilla: këto televizione të kontrolluara transmetonin në të gjithë vendin, ndërsa dritare mediatike të vogla lejoheshin për radio, gazeta dhe media të internetit. Kështu nuk mundemi as të themi që mungon liria e mediave pasi deri në një farë pike ajo ekziston dhe shumëllojshmëria e tyre të krijon përshtypjen e lirisë së zgjedhjes. Por rëndësinë kryesore politike e kanë televizionet e mëdha.”

Ndërkohë përdorues të internetit dhe blogerë si Anton Nosik shpresojnë që liria që ata gëzojnë të mbetet edhe pas zgjedhjeve. Ata thonë se përpjekjet e qeverive kudo në botë për të kufizuar internetin po dështojnë dhe do të dështojnë edhe në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG