Lidhje

Mediat shqiptare dhe lufta kundër korrupsionit


Zyrat rajonale të organizatës së njohur Transparency International të Shqipërisë dhe Kosovës po i mësojnë gazetarët e rinj të dy vendeve për të hetuar me kujdes mbi korrupsionin zyrtar dhe financimet e dyshimta të partive politike. Nisma ka ardhur pas skepticizmit të rritur në Tiranë dhe Prishtinë mbi fuqinë reale të medias për të luftuar korrupsionin.

Analisti i njohur i gazetarisë hetuese, Xhon Holland, mbajti fjalën kryesore në takim. Ai thotë se gazetarët mund të bëjnë më tepër kundër korrupsionit dhe të mos kenë frikë, edhe pse zyrtarët dhe bizneset që ata ndjekin janë të mëdhenj dhe të fortë. Përkundrazi, të korruptuarit duhet ta kenë frikë median - thotë ai. “Për të goditur korrupsionin gazetarët dhe qytetarë të tjerë mund të fillojnë nga kryesorja; të ndjekin paratë që politikanët lëvizin në vendin e tyre.Të studiohet çdo tender, çdo prokurim, çdo blerje, kush e porositi, sa janë çmimet dhe sa e bleu dikush tjetër. Zyrtar qendror apo vendor, janë njëlloj; të gjithë këta kanë punë me kompani vendase dhe të huaja, që sjellin diçka për shkollat, spitalet, kush i fton këto dhe si fitojnë këto në tendera. Korrupsioni mund të luftohet duke ditur të gjithë këto fakte që i dinë edhe kriminelët” - thotë ai.

Analisti Holland thotë se vende me demokraci të re si Shqipëria dhe Kosova janë të rrezikuara nga korrupsioni i lartë. Gjykatat nuk i dënojnë zyrtarët edhe pasi gazetarët shkruajnë për korrupsionin? Ky është problemi më i madh në Shqipëri e Kosovë dhe në gjithë Europën Lindore. Nëse gjyqtarët nuk ndëshkojnë politikanët e korruptuar, - thotë ai - atëherë shtypi duhet të hetojë gjyqtarët.

“Rruga e vetme është që të hetohen gjyqtarët; ku i gjejnë ata paratë? Gjyqtarët janë çelësi për gjithçka. Ju nuk mund të bëni dot asnjë reformë, nëse gjyqtarët i lirojnë politikanët e korruptuar. Në të gjithë rajonin ka shumë pyetje të tilla; si e ngriti gjyqtari një vilë 3-4 qind mijë euro, kur ai paguhet rreth 10 mijë dollarë në vit? Gjyqtarët duhet të mendohen mirë nëse duan të jenë në krahun e qytetarëve të ndershëm, apo në krahun e kriminelëve që vjedhin fondet, pastrojnë para apo fshehin dokumente korrupsioni. Gazetarët duhet t’ua kujtojnë gjyqtarëve dhe politikanëve se detyra e tyre është t’u shërbejnë qytetarëve” - thotë ai.

Përfaqësuesi i Transparency International për Kosovën, Ismet Kryeziu, thotë se “partitë politike në Prishtinë nuk bëjnë transparencën e mjaftueshme për financimet. Ka shumë pikëpyetje se nga vijnë këto para, dhe nëse janë para të pastra apo janë para të pista. Shoqëri civile në Kosovë ka propozuar që partitë të financohen nga fondet shtetërore, ndërsa edhe gjykatat janë ende të pafuqishme që të ndeshen me korrupsionin që buron kryesisht nga politika”.

Lutfi Dervishi përfaqësuesi i Transparency International për Shqipërinë thotë se “partitë bëjnë fushata zgjedhore luksoze pa deklaruar asnjë burim të aq shumë parave, por transparenca e financimeve duhet bërë gjatë gjithë kohës, jo vetëm për një muaj fushatë. Jemi të shqetësuar se kultura e korrupsionit brenda partive gjatë gjithë vitit bartet edhe në kulturën e punës së qeverisë kur ato vijnë në pushtet”.

Analistët mendojnë se mediat shqiptare duhet të përfshihen më shumë në hetimin e korrupsionit, që të rritet presioni qytetar për të zvogëluar sa më shumë abuzimin e zyrtarëve me pushtetin. Gaztetarët nuk ka pse mërziten nga ndonjë rast i pandëshkuar korrupsioni, por ata duhet të këmbëgulin në shumë raste të tjera; të hetojnë zyrtarin që vjedh, policin që nuk e kap, gjyqtarin që nuk e dënon, këdo që nuk dënon korrupsionin, sepse suksesi parë i hajdutëve, pohojnë analistët, është që të dekurajojnë gazetarët.

XS
SM
MD
LG