Lidhje

Mediat sociale dhe sfidat e privacisë

  • Zëri Amerikës

Mediat sociale dhe sfidat e privacisë

Mediat sociale dhe sfidat e privacisë

Sa e rëndësishme është për kompanitë të kenë një politikë për mediat sociale? Dhe nëse kompania për të cilën punoni ka një politikë të tillë, a është e lehtë për t’u kuptuar? Media sociale është një teknologji e re, e cila përparon shpejt dhe që shpesh i gjen papritur përdoruesit dhe kompanitë.

Imagjinoni sikur të shkruani diçka të pakëndshme për kolegët tuaj në Facebook dhe pastaj mësoni se komentet e tua janë zbuluar nga shefi. Kjo i ndodhi një gruaje në shtetin e Nju Jorkut, le ta quajmë Mary, e cila punonte në një kompani telemarketingu. Mary shkroi lidhur me zyrën dhe kolegët e saj në një nga faqet sociale në internet.

“Imagjinoni sikur të përballeni me një grup njerëzish që nuk dinë të sillen sipas rregullave të mirësjelljes. Disa nga kolegët m’u sollën shumë keq, madje më kërcënuan me gisht, dikush edhe me objekte prapa kokës…”.

Disa ditë më vonë shefi e pushoi Merin nga puna. Kompania nxori paskësaj një lajmërim, ku shpjegonte politikën e saj për mediat sociale, që ndalon përdorimin e emrit të kompanisë, ose të shprehurit pa respekt në internet. Meri thotë se nuk e kishte përmendur emrin e kompanisë dhe se pushimi nga puna ishte i padrejtë.

Ekspertja e medias sociale Debi Weil thotë se njerëzit duhet të tregohen të arsyeshëm kur bëjnë komente në mediat sociale:

“Të kesh një politikë për mediat sociale, do të thotë mes të tjerash, t’i orjentosh njerëzit se si t’i përdorin platformat e kësaj lloj mediaje. Prandaj, Facebook ka miliona variante të ndryshme që mund të zgjedhësh. Por nëse nuk e di se çfarë je duke bërë, ose nuk i kushton rëndësi, mundet që informacioni të kalojë nga njëri përdorues tek tjetri dhe kjo është e palejueshme për organizatën ku punon”.

Në Univeristetin e Karolinës së Veriut, departamenti i atletikës pa disa fotografi të njërit prej sportistëve në një mbrëmje kur festohej Halloween, për të cilën departamenti tha se ishte e papërshtatshme. Atëhere universiteti filloi të shohë më me kujdes rrjetet sociale që përdornin studentët. Ekipi i futbollit i Universitetit u ndalua të përdorte Twitterin, duke zgjuar mëdyshje mes studentëve nëse ishte e drejtë marrja e këtij vendimi.

Debbie Weil thotë se të gjitha kompanitë duhet të kenë një politikë për mediat sociale, e cila të jetë e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë. Për individët që përdorin median sociale, ajo këshillon që ato të jenë të hapura për identitetin e tyre.

"Kompanitë po fillojnë ngadalë të kuptojnë se kjo nuk është një lëvizje, apo një fenomen anësor. Kjo është një media reale, depërtuese, është e pranishme dhe diçka të cilën ata kanë nevojë ta përfshijnë në të gjithë komunikimin dhe marketingun e tyre. Kjo vetëdije po krijohet gradualisht”.

Sipas faqes së re të medias sociale Mashable, vetëm 20 për qind e kompanive në të gjithë botën kanë një politikë të caktuar për mediat sociale.

Shumica e kompanive që kanë një politikë për mediat sociale thonë se ajo është e efektshme. Por 4 për qind e kompanive thonë se reputacioni i tyre është dëmtuar për shkak të aktivitetit në mediat sociale të një prej punonjësve.



XS
SM
MD
LG