Lidhje

Pasojat e rrezatimit për kancerin e gjirit

  • Astrit Lulushi

Çdo e mirë ka një të keqe – një terapi efektive për një sëmundje – gjithashtu vjen me një çmim – rrit rrezikun për një tjetër sëmundje po vdekjeprurëse. Më shumë se 230 mijë gra amerikane pritet të diagnostikohen me kancer në gji këtë vit, sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane e Kancerit.

Terapia me rrezatim në gjoks është përdorur shpesh pas ndërhyrjes kirurgjike për të pakësuar gjasat e kthimit të kancerit në indet e mbetura të gjirit.

Por një studim në revistën mjekësore të Nju Englandit konstaton se rrezatimi – megjithëse efektiv kundër kancerit të gjirit – rrit rrezikun për sëmundje kryesore në zemër.

Kjo për shkak se rrezet depërtuese kalojnë gjirin duke arritur në zemër dhe në arteriet për rreth.

Gratë që marrin rrezatim në gjirin e majtë – që është më afër zemrës – janë veçanërisht në rrezik të lartë.

Dhe këto rreziqe mund të zgjasin për dekada pas mbarimit të trajtimit me rreze. Megjithatë, në përgjithësi përfitimet peshojnë më shumë sesa rreziqet. Dhe sot ka shumë mënyra për të monitoruar dhe për të administruar terapitë rrezatuese që zvogëlohet rreziku për prekjen e zemrës.


Melanoma po përhapet mes moshave të reja

Melanoma … Forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës diagnostikohet në mënyrë tipike midis moshes 45 deri 55.

Por tani dermatologët thonë se ata shohin në klinikat e tyre të vijnë gjithnjë e më shumë persona të moshave të reja 25 – 30 vjeç të cilët diagnostikohen dhe trajtohen me melanoma.

Sipas të dhënave, numri i rasteve të tilla mes moshave të reja ka filluar të rritet 5-7 vitet e fundit – dhe dyshohet se shkaqet kryesore vijnë nga shtretërit rrezitës që njerëzit i përdorin – kryesisht gjatë dimirit – si zevendësues për rrezet e diellit për ngjyrë të lëkurës. Thuhet se rrezatimi i trupit me rreze artificiale ka të mirat e veta – personi duket dhe ndjehet mirë. Por mendimi i përgjithshëm mes ekspertëve të sëmundjeve të lëkurës është se shtretërit rrezitës janë të dëmshëm dhe shtimi i rasteve të melanomës duket se mbështet shqetësimet e tyre.


Qëndrimi ulur dhe gratë e moshuara

Dëshmi të reja se qëndrimi ulur dëmton shëndetin, veçanërisht të grave të moshuara.

Një studim në revistën e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë mbështetet në një sondazh mes 71 mijë grave nga mosha 50 deri në 79 vjeç, të cilat u pyetën se sa orë në ditë qëndronin ulur. Studime zgjati 12 vjet.

Shkencëtarët zbuluan se gratë që qëndronin ulur për 10 orë ose më shumë në ditë ishin në rrezik për të pësuar goditje në zemër ose në tru - rreziku ishte më lartë veçanërisht për gratë mbipeshë dhe mbi 70 vjeç.

Në krahasim me gratë më aktive të cilat qëndronin ulur për pesë orë në ditë ose më pak, gratë që qëndronin ulur 10 orë ose më shumë ishin 63 për qind më shumë në rrezik për t’u prekur nga sëmundje të zemrës.

Autorët sugjerojnë se ngritja herë pas here nga qëndrimi ulur, qoftë edhe thjesht duke qëndruar në këmbë ose duke kryer ecje të shkurtëra mund të sjellë ndryshim pozitiv në shëndet.
XS
SM
MD
LG