Lidhje

Vizita e presidentit rus në Poloni, shenjë e permirësimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve


Vizita e presidentit rus në Poloni, shenjë e permirësimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve
Vizita e presidentit rus në Poloni, shenjë e permirësimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve

Presidenti rus Dmitri Medvedev ishte në Poloni këtë javë në një vizitë dy ditore. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, kjo ngjarje është cilësuar nga të dy palët si një shenjë e permirësimit të marrëdhenieve.

Presidenti rus Dmitri Medvedev shkoi në Varshavë në fillim të javës në një atmosferë të ngrohjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai ishte presidenti i parë rus që vizitonte Poloninë në tetë vjet.

Zoti Medvedev nënshkroi një seri marrëveshjesh ekonomike me Poloninë por u takua edhe me presidentin polak Bronislaw Komorowski dhe kryeministrin Donald Tusk për të diskutuar çështje më të rendësishme. Njëra prej tyre ishte edhe rrëzimi i aeroplanit ku humbi jetën presidenti polak Leh Kaçiski dhe 95 persona të tjerë.

Aeroplani u rrëzua në muajin prill pranë qytetit rus, Smolensk.

Delegacioni u prit nga dhjetëra protestues që mbanin pankarta ku shkruhej: “Duam të vërtetën mbi Smolenskun”. Në Poloni ka ende një rrymë të ekstremit të djathtë që beson se rrëzimi i aeroplanit ishte pjesë e një komploti rus. Por Vojçeh Borozhiç-Smolinski i Qendrës për Marrëdheniet Ndërkombëtare në Varshavë shpjegon se në të vërtetë, rrëzimi i avionit i ka përmirësuar marrëdheniet mes dy vendeve.

"Ky ndryshim i rëndësishëm ndodhi pas tragjedisë së Smolenskut. Ne si polakë pamë në televizion ndjenjat e shprehura nga politikanët dhe vetë populli rus, dhe kjo ndryshoi në mënyrë të dukshme klimën mes dy vendeve. Ende kemi probleme, por është më e lehtë të flitet për to nëse ai me të cilin bisedon është një njeri bashkëkohor", -thotë ai.

Marrëdhëniet mes Polonisë dhe Rusisë kanë qënë të acaruara që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1989 dhe presidenti i mëparshëm polak Leh Kaçinski u tregua haptazi armiqësor ndaj Rusisë. Por vitet e fundit politika polake ka ndryshuar, dhe administrata aktuale po mban një qendrim më pajtues.

Muajin e fundit, Polonia mirëpriti një deklaratë nga dhoma e ulët e parlamentit rus, rreth masakrës së vitit 1940 ndaj 20 mijë oficerëve polakë në pyllin Katin. Për herë të parë, Duma ruse pranoi zyrtarisht se vrasjet ishin zbatuar nën urdhërat direkte të Stalinit. Për vite me rradhë, Rusia pati thënë se nazistët ishin përgjegjës për masakrën e cila prej kohësh ka qënë një çështje sensitive për Poloninë.

Gjatë një konference shtypi të hënën, zoti Komorowski tha se deklarata e Dumës ishte shumë e rëndësishme. Ky nuk është vetëm një kapitull i ri në marrëdheniet ruso-polake, por një kapitull i mirë, tha ai.

Ndërkohë që Polonia mund të kishte qënë e shqetësuar rreth historisë, Rusia nuk bëri përpjekje për të fshehur interesat e saj ekonomike.

Në të njëjtën konferencë shtypi, zoti Medvedev theksoi se kompanitë ruse ishin të interesuara të investojnë në Poloni. Rusia kërkon të zhvillojë marrëdhënie të hapura dhe miqësore me Evropën, tha ai, kryesisht me ato vende që lidhen me tubacionet ruse të naftës.

Zoti Borozhiç-Smolinski thotë se ndërkohë që kompanitë ruse janë aktualisht aktive në Evropë, zbutja e marrëdhenieve me Poloninë mund të jetë kyçe nëse Rusia kërkon të çojë një hap më tej marrëdhëniet ekonomike.

"Është e rëndësishme për politikën ndërkombëtare ruse që të ketë marrëdhënie të mira me Poloninë sepse ata e dinë se Polonia është një pjestare e rëndësishme e Bashkimit Evropian. Rusët e dinë se nëse nuk zgjidhin problemet me Poloninë do të jetë e vështirë që të futen në tregjet e BE. Rusia ka nevojë të njihet politikisht si partnere e vërtetë sepse pa zgjidhjen e problemeve, madje edhe atyre historike, Rusia nuk mund të veprojë si partnere e të gjithë Bashkimit Evropian,"- thotë analisti.

Pikërisht në këtë aspekt, shton analisti, zoti Medvedev mund të jetë një ambasador më i efektshëm për vendin e tij sesa pararendësi i tij Vladimir Putin.

"Ai nuk ka një të kaluar në KGB dhe është një avokat mjaft i shkolluar. Kjo është arsyeja që zoti Medvedev ka më shumë shanse të bëhet ai lloj partneri dhe kolegu me BE. Në njëfarë mënyre ai përfaqëson një fytyrë të re të Rusisë".

Vizita e zotit Medvedev po ashtu përkoi me publikimin e sekreteve nga WikiLeaks se NATO-ja po hartonte plane për të mbrojtur Poloninë dhe shtetet baltike nga ndonjë sulm i mundshëm rus. Rusia reagoi duke thënë se NATO-ja gabohej kur mendonte se Rusia ishte armike. Zoti Medvedev, të paktën shpreson që vizita e tij në Poloni do të ndihmojë të ndërtojë më shumë besim ndërmjet vendit të tij dhe Evropës.

XS
SM
MD
LG