Lidhje

SHBA: Bombardimet po ngadalësojnë përparimin e ISIS


Shtetet e Bashkuara thonë se bombardimet ndaj militantëve të Shtetit Islamik janë duke e ngadalësuar përparimin e tyre në luftë me forcat kurde për kontrollin e Kobanit, qytetit sirian në kufi me Turqinë.

Por Komanda Qendrore Amerikane tha sot se rezultati i luftimeve në Kobani mbetet i paqartë. Ajo tha se kryengritësit janë duke u përpjekur të marrin territore të reja, por luftëtarët kurdë po vazhdojnë ta mbrojnë qytetin.

Në sulmet më të gjata deri më sot në Kobani, SHBA tha se avionët e vet luftarakë, krahas me ata të Arabisë Saudite, kryen 21 goditje ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik të hënën dhe të martën. Shtetet e Bashkuara thanë se kanë shkatërruar, apo dëmtuar komplekse ndërtesash të militantëve, si dhe kanë goditur një rafineri nafte në Dayr az Zawr.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se sulmet ajrore synojnë të mos i lejojnë luftëtarët e Shtetit Islamik të dërgojnë luftëtarë të tjerë në Kobani dhe të grumbullojnë forca massive kundër pozicioneve kurde.

Ky vlerësim i Shteteve të Bashkuara vjen ndërsa Presidenti Barack Obama dhe komandantët ushtarakë amerikanë takohen sot me ministra të mbrojtjes nga vende të tjera, për të diskutuar mbi përpjekjet e koalicionit ndaj militantëve të grupit Shteti Islamik në Iraq dhe në Siri.

Një zëdhënës i gjeneralit Martin Dempsey, Shef i Shtatmadhorisë në ushtrisë amerikane, thotë se bisedimet në bazën ajrore Andrews në periferi të Uashingtonit, do të përfshijnë sfidat e operacionit dhe vizionin për të ecur përpara. Në diskutime marrin pjesë përfaqësues nga rreth 22 vende të botës, përfshirë Turqinë.

XS
SM
MD
LG