Lidhje

“Mega-zjarret” globalë dhe mjedisi


Australia, Indonezia, Rusia dhe Greqia janë disa nga vendet ku janë përhapur zjarre masive kohët e fundit. Në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, tre zjarre shkatërruan sipërfaqe të mëdha kësaj vere. Ekspertët thonë se shumica e tyre ndodhin nga një kombinim i ndryshimit të klimës, shfrytëzimit pa kriter të tokës, dhe keqmenaxhimit të mjediseve nga njerëzit.

Kolorado. Qershor, 2013. Zjarri i pyllit Black Forest shkatërroi mbi 500 shtëpi. Disa javë më vonë, zjarri në Yarnell Hill të Arizonës shkaktoi vdekjen e 19 zjarrfikësve. Pastaj, në gusht, një zjarri në Kaliforni – i treti më shkatërruesi në historinë e këtij shteti – vuri në rrezik burimet e ujit të pijshëm të San Franciscos.

Bill Kaage është drejtor i operacioneve kundër zjarreve në Qendrën Kombëtare të Zjarreve me zyra në Boizi të shtetit Idaho.

Ai thotë se zjarret e mëdha dhe të kushtueshëm që ndodhnin rrallë vite më parë, tani po i detyrojnë zyrtarët të reagojnë më shpejt:

“Në perëndim të Shteteve të Bashkuara, ndodhin zjarre më të mëdhenj që zgjasin më shumë, ndërkaq sezoni i zjarreve po ndryshon ndjeshëm.”

Thatësirat e shkaktuara nga ndryshimi i klimës janë një faktor që nxit të ashtuquajturit “mega-zjarre,” sipas një komisioni të Kombeve të Bashkuara dhe ekspertëve të tjerë.
Një faktor tjetër është shfrytëzimi pa kriter i tokës, duke ngritur komunitete të mëdha në zona me rrezik zjarri dhe pastaj nëpërmjet shuarjes agresive të tyre. Kjo është një praktikë që ka mbështetje të gjerë.

Por ajo ka dështuar në çdo vend ku ka rreziqe për zjarre natyrore, thotë Stephen Pyne i Universitetit “Arizona State,” i cili bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

“Kur në horizont duket tymi, dhe kamerat televizine fillojnë e regjistrojnë, duket si një zgjidhje e lehtë të thërrasësh trupat, të sjellësh aeroplanët dhe helikopterët, për të hequr qafe problemin. Por ne thjesht e kemi shtyrë, nuk e kemi eliminuar atë.”

E thënë ndryshe, praktika e shuarjes masive është një zgjidhje e përkohshme që krijon zjarre më të rrezikshëm më vonë. Eksperti nga shteti i Oregonit Marc Barnes bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it:

“Atje ku zjarret kishin intenstitet të ulët dhe pastronin pyllin, tani djegin me intensitet të lartë dhe po i shkatërrojnë fare pyjet, duke djegur çdo gjë.”

Zoti Barnes thotë se financimi duhet të kalojë në masa më aktive si reduktimi i karburantit.

“Përndryshe ne do të shohim zjarre akoma më të mëdha, do të shpenzojnë më shumë para, dhe shumë më pak do të arrihet nga agjencitë e ndryshme sepse buxhetet e tyre po përpihen nga fondet për shuarjet agresive të zjarreve.”

Zoti Kaage pranon se defiçiti federal ka detyruar agjenci si ajo e tija të shkurtojnë buxhetet për reduktimin e karburantëve.

“Kjo është një zgjedhje që na është dashur të bëjmë për të siguruar mjetet dhe ekipet e nevojshëm për t’iu përgjigjur zjarreve.”

Kongresi ka përcaktuar një strategji kombëtare për të luftuar zjarret, një vendim që zoti Pyne e quan “të guximshëm, por të financuar jo sa duhet.” Ajo ka për qëllim të ndihmojë qeverinë, pronarët e tokave dhe OJQ-të të merren me një problem të rrezikshëm që duket se po përkeqësohet nga viti në vit.


XS
SM
MD
LG