Lidhje

Meksika feston 200 vjetorin e pavarësisë nga Spanja


Sot është 200 vjetori i pavarësisë së Meksikës. Më 16 shtator të vitit 1810, ati Migel Hidalgo filloi luftën 10-vjeçare për pavarësi nga Perandoria e Spanjs, e cila u bë e njohur si “Grito de Dolores”, siç u quajt beteja e luftës për pavarësi. Mes figurave të spikatura në këtë luftë ishin Ati Hose Maria Morelos dhe Gjenerali Agustin de Iturbide, i cili u bë udhëheqësi i parë i Meksikës.

Një marrëveshje e vitit 1821 njohu pavarësinë e Meksikës nga Spanja dhe bënte thirrje për vendosjen e Monarkisë Kushtetuese. Por plani i monarkisë dështoi dhe në vend të saj vendi u deklarua republikë në vitin 1822. Në vitin 1824 Meksika u shpall me ligj Republikë.

Historia e Meksikës është ajo e një populli që ka luftuar për një kohë të gjatë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe respektimin e sovranitetit të vendit. Pavarësisht nga shumë sfida, ku përfshihen pushtimet e huaja dhe periudha me konflikte të brendshme të dhunshme, Meksika ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, arsim dhe në arritjen e një standarti të lartë jetese për popullsinë në rritje të vendit.

Meksika është vendi spanjisht-folës me popullsinë më të madhe në botë dhe vendi me popullsinë më të madhe në Amerikën Latine, pas Brazilit, ku flitet gjuha portugeze. Sipas disa vlerësimeve, popullsia në rajonin rreth qytetit Meksiko arrin në rreth 22 milionë banorë, duke e bërë këtë qytet më të populluarin e Hemisferës Perëndimore.

Regjimi i tregtisë i Meksikës është më i hapuri në botë, përfshi marrëveshje tregtie me SHBA, Kanadanë dhe BE-në, si dhe me një numër të madh vendesh të tjera, duke arritur shifrën e 44 partnerëve tregtarë.

Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor tregtar i Meksikës, duke mbuluar në vitin 2009 rreth 80 për qind të eksporteve meksikane.

Marrëdhëniet e SHBA me Meksikën janë po aq të rëndësishme dhe komplekse, sa edhe me vende të tjera të botës dhe ato ndikojnë drejtpërdrejt tek jeta e miliona amerikanëve.

“Vendet tona janë të lidhura nga kufiri më i ngarkuar në botë, nga një partneritet i pasur ekonomik, nga shkëmbime të rëndësishme kulturore dhe nga miliona meskikano-amerikanë, të cilët kanë kontribuar kaq shumë për vendin tonë”, - tha Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Rodham Klinton. “Historia jonë e përbashkët dhe e ardhmja jonë e përbashkët na japin guximin dhe sigurojnë themelet për të ndërtuar një bazë edhe më të fortë për bashkëpunimin tonë.”

“Meksika dhe SHBA ndajnë bashkarisht shumë gjëra”- tha Sekretarja Klinton.”Me besimin në institucionet tona demokratike, vlerat tona të përbashkëta dhe miqësinë tonë të patundur, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të dhe për krijimin e begatisë dhe paqes për të dy popujt tanë.”- tha Sekretarja Klinton.

XS
SM
MD
LG