Lidhje

Meksika heton programin amerikan të përgjimit


Meksika ka urdhëruar fillimin e hetimeve mbi dyshimet se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar presidentin Enrique Pena Nieto para zgjedhjes së tij, dhe paraardhësin e tij Felipe Calderon.

Ministri i Brendshëm Miguel Angel Osorio Chong tha se hetimi ka për synim të kuptoj nëse përgjimet e këtij lloji kanë ndodhur dhe nëse ato janë realizuar me ndihmën e ndonjë zyrtari meksikanë.

Duke folur në Gjenevë, Ministri meksikan i Punëve të Jashtme Jose Antonio Meade tha se Presidenti amerikan Barak Obama i ka premtuar zotit Pena Nieto se do të bëhet një hetim në përgjigje të shqetësimeve të Meksikës, si pjesë e një rishikimi më të gjerë të mbledhjes së informacioneve nga agjencitë amerikane të zbulimit.

Ministri Meade tha se ai do të thërrasë ambasadorin e SHBA-ve në Meksikë për "të theksuar me vendosmëri premtimin e Presidentit Obama për nevojën e zgjerimit të hetimeve mbi këtë çështje".

Revista javore gjermane Der Spiegel njoftoi të dielën se Agjencia e Amerikane e Sigurisë Kombëtare në maj të vitit 2010 kishte filluar të përgjonte email-et e zyrtarëve meksikanë.
Der Spiegel tha se informacioni erdhi nga një dokument sekret publikuar nga ish kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden, i cili tani është duke jetuar në Rusi.
XS
SM
MD
LG