Lidhje

Meksika tërheq pensionistët amerikanë pavarësisht valës së krimeve


A Mexican beach
A Mexican beach

Rreth 40 mijë njerëz janë vrarë në Meksikë gjatë pesë vjetëve të fundit ndërkohë që policia dhe ushtria e këtij vendi të Amerikës Latine po përballet me kartele të fuqishëm narkotikësh të cilët luftojnë me njëri tjetrin për rrugët e trafikimit të drogës. Por pavarësisht titujve tronditës të lajmeve, qindra mijëra amerikanë i kalojnë çdo vit pushimet në Meksikë dhe shumë prej tyre, kryesisht pensionistë, kanë blerë atje shtëpi. Duket se moti i ngrohtë dhe kostoja e ulët e jetesës janë shumë tërheqës për ta.

Kohët e fundit, lajmet nga Meksika janë të këqija dhe dominohen nga njoftime për shkembime zjarri dhe vrasje të frikëshme. Por ndërkohë, shumë amerikanë po lëvizin drejt Meksikës për të gjetur paqe dhe qetësi. Michael Baldwin dhe Stepahine Villaroll folën për Zërin e Amerikës përmes Skype nga shtëpia e tyre në skajin jugor të gadishullit Baja të Meksikës.

“Kemi thuajse një vit që jetojmë këtu dhe erdhëm nga Huston i Teksasit. Erdhëm përkohësisht verën e kaluar dhe vendosëm të qëndrojmë përgjithnjë. Erdhëm me makinn nga Houston deri në Cabo San Lucas.”

Michael Baldwin thotë se atyre u pëlqen bukuria natyrore dhe klima e butë dhe se stili i përmirësuar i jetës u ka kursyer para.

“Krahasuar me Huston, Cabo na ka pakësuar shpenzimet rreth 30 përqind.”

Stephanie thotë se atyre u pëlqen të bashkëbisedojnë me popullsinë lokale në vendin ku ka pak krime.

“Kemi shumë miq, janë shumë mikpritës dhe kjo është një prej gjerave që nga pëlqen, njerëzit.”

Ndërkohë që qendrat e pushimeve nuk kanë patur probleme, pjesë të tjera të Meksikës janë kthyer në zona lufte. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, 14 nga 31 shtetet e Meksikës kanë patur incidente të dhunëshme.Por Rodolfo Lopez-Negrete, shef i bordit të turizmit në Meksikë, thotë se raporti nuk citon pjesën dërrmuese të vendit të papërfshirë nga krimet e medha.

“Nga 2,500 bashki që kemi në Meksikë, vetëm në 80 prej tyre janë vënë re episode dhune.”

Ai thotë se shtetasit amerikanë që jetojnë në zonat e qendrave kryesore të pushimeve janë provë e konfidencës.

“Pjesa dërrmuese e pronarëve në qendrat e pushimeve janë amerikanë”.

Ndërkohë në Huston, Chris Hill punon me koalicionin meksikan imobilar që synon nxitjen e blerjeve në Meksikë. Ai thotë se aktiviteti është ngadalësuar gjatë viteve të fundit, kryesisht si rezultat i recesionit, por edhe nga lajmet mbi dhunën që zakonisht nuk është pranë zonave turistike.

“Të gjitha lajmet që dëgjojmë mbi krimet e lidhura me drogën, kanë ndikim shumë të vogël tek turizmi apo dikush që do të jetojë në Meksikë.”

Një tjetër shqetësim për shumë blerës shtëpish nga Amerika është procesi ligjor dhe siguria e investimeve në vend të huaj. Zoti Hill thotë se procedurat e reja dhe garancitë ligjore e bëjnë më të lehtë dhe të sigurtë investimin imobilar në Meksikë.

“Po përdore mjetet, ka shumë pak rrezik, njëlloj si në Amerikë.”

Chris Hill thotë se Meksika ofron shanse të mëdha për pensionistët amerikanë që të jetojnë më mirë me paratë e pensionit.

“Ne besojmë se Meksika në planin afatgjatë do të jetë një mundësi e mrekullueshme për pensionistët në bazë të kostos dhe kujdesit shëndetësor.”

Ndërkohë, shumë amerikanë që jetojnë pjesërisht apo gjatë gjithë kohës në Meksikë e kanë përjetuar një të vërtetë të tillë.

XS
SM
MD
LG