Lidhje

Meksikë: Dhuna e shkaktuar nga lufta e karteleve të drogës


Lufta e ashpër e karteleve të drogës ka marrë më shumë se 50 mijë jetë njerëzish në vendin e Amerikës Latine gjatë 6 viteve të kaluara

Zbulimi i 49 trupave me kokë e duar të prera në një rrugë automobilistike pranë qytetit të Monterreit në shtetin verior Nuevo Leon të Meksikës ditën e dielë, ka kthyer edhe një herë vëmendjen tek lufta e ashpër e drogës e cila ka marrë më shumë se 50 mijë jetë njerëzish në vendin e Amerikës Latine gjatë 6 viteve të kaluara. Pak kohë përpara gjetjes së këtyre trupave në Monterrei, dhjetra të tjerë u gjetën në qytetin kufitar të Nuevo Laredos si dhe në qytetin e Guadalajaras. Siç njofton Greg Flakus i Zërit të Amerikës, votuesit meksikanë do të kërkojnë përfundimin e dhunës me votën që do të hedhin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit në 1 korrik.

Në Nuevo Leon, autoritet po hetojnë masakrën e tmerreshme ndaj 43 burrave dhe 6 grave, identifikimi i të cilëve ishte i vështirë që të bëhej sipas zëdhënësit të sigurisë Jorge Domene. Trupat ishin pa kokë dhe ishin aq të gjymtuar sa që ekspertët mjeko-ligjorë ndoshta nuk do të jenë në gjendje t’i identifikojnë, thotë zëdhënësi.

Zoti Domene thotë se shenjat e lëna pranë trupave tregojnë se kjo vrasje masive duhet të jetë kryer nga Los Zetas, një grup paraushtarak i cili nisi veprimtarinë e tij rreth një dekadë më parë si pjesë e kartelit Gulf në verilindje të Meksikës, e më pas nisi kontrabandën e drogës si grup më vehte. George Grayson, ekspert kryesor për këto çështje në kolegjin “William and Mary” në Virginia, ka ndjekur nga afër luftën e karteleve të drogës.

“Në të kaluarën, shqetësimi i karteleve të drogës ishte tregëtimi i saj. Ata bënin vrasje nëse ishte e nevojshme, por gjithsesi kishin si qëllim final tregëtinë e drogës. Ndërsa tani, del një grup si Los Zetas i cili duket se ka kënaqësi të ekzekutojë njerëz në mënyrën më sadiste, brutale dhe mizore”.

Vetëm pak vite më parë qyteti i Monterreit, dikur relativisht i begatë e paqësor, u kthye në një zonë lufte mes grupit Los Zetas dhe kartelit të fuqishëm Sinaloa, i cili është themeluar nga Joaquin “Chapo” Guzman, i arratisur i drejtësisë.

Analisti George Grayson thotë se nejrëzit në Monterrei duan që të rikthehet ligji dhe rregulli. Ndonëse veriu i Meksikës ka mbështetur zakonisht partinë në pushtet Veprimi Kombëtar, (apo siç quhet shkurt PAN), zoti Grayson thotë se sondazhet e opinionit publik tregojnë se votuesit atje dhe në shumë vende të tjera të Meksikës ndoshta tani po kthejnë vëmendjen drejt partisë Institucionale Revolucionare, apo PRI, për të ndalur dhunën.

“Njerëzit e ndjejnë seriozisht se janë të përfshirë në një situatë krize dhe ky është faktori numër një që të anketuarit përgjigjen se përse ata do të votojnë për partinë Institucionale Revolucionare në datën 1 korrik”.

Kjo forcë politike, ka mbajtur për 70 vjet pa ndërprerje pushtetin në Meksikë deri në vitin 2000, kur kandidati i partisë Veprimi Kombëtar Voncet Fox u zgjodh president. Ai u pasua në këtë post nga Felipe Calderon po i kësaj partie i cili është presidenti aktual i vendit. Zoti Calderon nisi mandatin e tij 6 vjeçar në dhjetor të vitit 2006 duke shpallur luftë ndaj krimit të organizuar. Ai nisi në terren trupat e ushtrisë për të kapur e vrarë figurat kryesore të karteleve të drogës, diçka që sipas George Graysonit shtoi dhunën.

“Sa herë që eliminon drejtuesin e një karteli droge, zëvendësit e tij përfshihen në një betejë të ashpër për të marrë drejtimin. Kësaj situate i shtohet edhe lufta e organizatave kriminale rivale të cilat sulen për të marrë trofenë e mbetur mbas vdekjes së rivalit kryesor, dhe e gjithë kjo sjell nisjen e dhunës ekstreme “.

Zoti Grayson thotë se do të jetë e vështirë që të ulet dhuna, pavarësisht se cili do të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ai thotë se presidenti i ri duhet të besojë më shumë në aftësitë zbuluese të policëve dhe në zhvillimin e shërbimeve sekrete dhe më pak tek përqëndrimi i trupave ushtarake anembanë vendit.

“Mendoj se presidenti i ri duhet të përdorë më shumë ndërhyrjet e kujdesshme, ndoshta duke lënë mënjanë mënyrat e forta, ndonëse ai do të ketë ende nevojë për ushtrinë në terren pasi Meksika nuk ka një forcë policore të ndershme ”.

Fuqia korruptuese e përfitimeve të paligjshme të tregëtisë së drogës ka minuar shumë përpjekje për të profesionalizuar forcën policore të Meksikës. Anëtarët e parë të grupit Los Zapatos, përshembull, kanë qenë pjesë e një njësie speciale ushtarake. Specialistë për çështjet e trafikut të drogës në Meksikë theksojnë se gjatë viteve të kaluara, bandat zakonisht i vendosnin kufomat e atyre që vrisnin nëpër varre të fshehta, ndërsa tani ata i varin trupat e të varëve nëpër ura ose i lënë ato nëpër kryqëzime shumë publike. Ata thonë se këto shfaqje të frikshme publike janë paralajmërim për rivalët dhe demonstrim për të treguar se vrasësit kanë pak frikë se mos kapen dhe vihen përpara përgjegjësisë për krimet e kryera prej tyre.
XS
SM
MD
LG