Lidhje

Meksikë: Kontrabanda e drogës pas arrestimit të kreut të kartelit

  • Greg Flakus

Arrestimi i një prej bosëve më famëkeqë dhe më brutalë të karteleve të drogës së Meksikës po konsiderohet si një fitore e madhe për Presidentin e vendit latino-amerikan Enrique Pena Nieto dhe bashkëpunimin amerikano-meksikan për të luftuar trafikun e drogës. Por kapja e bosit të grupit Zetas është edhe në avantazhin e rivalëve të tij në tregëtinë e paligjshme.

Marinsat amerikanë e kapën Miguel Angel Trevinon në një rrugë pranë Nuevo Laredos, në kufirin me Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër e Laredos së Teksasit. Udhëheqësi i njohur i grupit Los Zetas ishte me dy bashkëpunëtorë në një makinë, ku kishte sasi të mëdha të hollash, armë dhe municion.

Eduardo Sanchez Hernandez, Zëdhënësi i Presidentit meksikan Enrique Pena Nieto, thotë se Trevino përballet me akuza të shumta në Meksikë.

“Mes akuzave janë përfshirja në krimin e organizuar, vrasje, tortura, mbajtja e armëve të paligjshmë të zjarrit, pastrimi i parave dhe vrasja e immigrantëve nga Amerika Qendrore dhe vende të tjera që ishin rrëmbyer nga Los Zetas”, thotë Hernadez.

Arrestimi i Trevinos, një vit pas vrasjes së ish-kreut të Zetas nga ushtria meksikane, është një goditje e fuqishme ndaj organizatës kriminale dhe një fitore e madhe për qeverinë meksikane. Por eksperti George Grayson, profesor në Kolegjin William and Mary, që ka shkruar një libër për këtë organizatë kriminale thotë se më shumë se të gjithë mund të përfitojë trafikanti më i madh meksikan i drogës.

“Përfituesi më i madh është Joaquin El Chapo Guzman, kreu i kartelit Sinaloa, sepse ai prej vitesh përpiqet që të ketë qasje në Nuevo Laredo, porta më e madhe për transportin e artikujve, shërbimeve, imigratëve të paligjshëm dhe parave mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë profesor Grayson.

Profesor Grayson thotë se Zetas, në fillim ishte një grup ushtarak renegat që mbronte kartelin e Gjirit përgjatë kufirit lindor të Meksikës me Shtetet e Bashkuara por ky grup nuk vepron më me një strukturë vertikale komande.

"Los Zetas kanë humbur shumicën e themeluesve dhe të drejtuesve rajonalë. Me kalimin e viteve, ata janë kthyer nga një organizatë hierarkike me aftësi të mëdha kontrolli në grupime të vogla të shpërndara”.

Në Shtetet e Bashkuara, ka akt-akuza federale kundër Miguel Angel Trevinos për trafikim armësh dhe shkelje që kanë të bëjnë me armët. Para disa vjetësh, qeveria e Shteteve të Bashkuara shpalli një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të ndihmonin për arrestimin e tij.

Profesor George Grayson thotë se ka shumë mundësi që informacioni i ardhur nga agjencitë amerikane të rendit të kenë luajtur rol në gjetjen e tij në Veri të Meksikës nga marinsat meksikanë.
XS
SM
MD
LG