Lidhje

Kapet trafikanti i drogës "El Chapo" Guzman


Ai është akuzuar për kontrabandimin e disa tonelatave drogë në Shtetet e Bashkuara.
Agjentët meksikanë dhe amerikanë e kapën Guzmanin dje në një hotel në vendpushimin meksikan të Mazatlanit, pa ndihmën e asnjë të shtëne.

“Mendoj se kjo është diçka shumë e mirë, një arritje e shkëlqyer nga kjo qeveri e cila po na jep rezultate. Mendoj se ky është një arrestim i rëndësishëm jo vetëm për Meksikën, por për shumë vende të tjera”.

Agjentët kishin disa javë që e ndiqnin Guzmanin, pasi policia meksikane arrestoi disa anëtarë të lartë të kartelit të tij Sinaloa. Ata besojnë se Guzman kishte arritur t’u shpëtonte autoriteteve duke shfrytëzuar një numër shtëpish të sigurta dhe tunelesh.

“Ndërmjet datave 3 dhe 17 shkurt, u zbulua vendndodhja e disa shtëpive ku ai rrinte, por disa prej tyre ishin të lidhura nëpërmjet tuneleve me shtatë shtëpi të tjera, gjë që e bëri të vështirë kapjen e tij. Ato ishin të lidhura jo vetëm me tunele, por edhe me sistemin e kanalizimit të qytetit”.

Ai kërkohej në Shtetet e Bashkuara nën akuza për trafik kokaine, marihuane dhe heroine duke përdorur kufirin meksikano-amerikan. Prokurori i Përgjithshëm amerikan Eric Holder e cilësoi arrestimin e Guzmanit si fitore për qytetarët amerikanë dhe ata meksikanë.

Policia meksikane e pati arrestuar “El Chapo”-n në vitin 2001, por ai u arratis nga një burg i sigurisë maksimale në një kamion rrobash të palara.
XS
SM
MD
LG