Lidhje

Melania Trump mbron bashkëshortin, Donald Trump


Bashkshortja e kandidatit republikan për president, Donald Trump i ka dalë në mbrojtje bashkëshortit të saj përballë kritikave për komentet që ai i ka bërë në adresë të grave gjatë bisedës me një drejtues të një programi televiziv të kanalit NBC. Në videon e publikuar kohët e fundit, të regjistruar pa dieninë e zotit Trump, Donald Trumpi flet mbi mënyrën se si ai i bënë për vete gratë, pa pëlqimin e tyre.

Në një intervistë të transmetuar të hënën në kanalin televizv CNN, Melania Trump tha se burri i saj ishte "provokuar" nga drejtuesi i atëhershëm i programit televiziv, "Access Hollywood", Bill Bush, për të thënë "gjëra të pista dhe të këqija" në kasetën e regjistruar në vitin 2005. Në lidhje me bashkshortin e saj, ajo tha "Ky nuk është njeriu që njoh. Bashkëshorti im është xhentelmen, është i sjellshëm, dhe unë e di që ai i respekton gratë".

Në kasetë, Donald Trump mburret për sjelljet e tij të shthurura ndaj grave, si prekjen, puthjen e tyre dhe joshjen e grave të martuara. Ai publikisht ka kërkuar falje për komentet, duke iu referuar atyre thjesht si "biseda mes meshkujsh prapa dyerve të mbyllura."

Melania Trump i tha kanalit televiziv CNN se bashkëshorti i saj Donald Trump i ka kërkuar asaj falje për komentet e tij në regjistrim dhe se ajo e ka falur. Ajo akuzoi gjithashtu "mediat e krahut të majtë" për trajtimin e regjistrimit në një mënyrë që kishte si synim të dëmtonte reputacionin e bashkshortit të saj. Ajo tha se mbështet pohimet e burrit të saj se zgjedhjet presidenciale të nëntorit janë duke u manipuluar në favor të rivales Hillary Clinton, duke argumentuar se media është e njëanshme dhe e pandershme.

Nga ana e tij, Donald Trump të hënën intensifikoi komentet që shprehin shqetësimin e tij se zgjedhjet po manipulohen kundër tij.

"Sigurisht, një mashtrim në shkallë të gjërë i votuesve po ndodh tani, para ditës së zgjedhjeve", ka thënë zoti Trump në një sërë komentesh të publikuara në Twitter. "Përse udhëheqësit republikanë po e mohojnë atë që po ndodh? Shumë naive!"

Zoti Trump vazhdon të jetë prapa rivales së tij në anketa, tre javë para zgjedhjeve të 8 nëntorit. Ai nuk ka treguar asnjë provë mbi mashtrimin e votuesve ose pretendimeve të tjera që ka bërë deri tani, përfshirë pohimet se Hillary Clinton ishte e droguar gjatë debatit të tyre të fundit presidencial, apo se ajo i kishte marrë pyetjet e debatit para kohe.

Megjithatë, një studim i ri nga faqja e internetit “Politico” dhe kompania votimit “Morning Consult” tregon se shumë amerikanë nuk janë krejt të bindur tek integriteti i zgjedhjeve kombëtare; 41% e votuesve besojnë se zgjedhjet mund të "vidhen" nga zoti Trump. Anketa tregoi një ndarje të madhe në vija partiake, ku 73% e të anketuarve republikanë, në krahasim me vetëm 17% e të anketuarve demokratë, pohuan se besojnë që mund të ketë manipulim masiv të votave.

Zoti Trump të hënën tha se emailet e shefit të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta, të publikuara nga faqja e internetit “WikiLeaks” "dëshmojnë se edhe fushata e zonjës Clinton e dinte" se ajo ka "keqpërdorur informacionet sekrete" në serverin e saj të pasiguruar privat që ajo e ka përdorur kur ishte Sekretare e Shtetit nga viti 2009 deri në vitin 2013.

"Por askush nuk akuzohet për gjëra të tilla? Manipulim!" tha zoti Trump.

Hetuesit amerikanë kanë arritur në përfundimin se trajtimi i materialeve të sigurisë kombëtare nga zonja Klinton ishte "jashtëzakonisht i pakujdesshëm", por nuk ishte shkelje që kërkonte ngritjen e akuzave penale.

Anketat e fundit kombëtare të publikuara të hënën tregojnë se zonja Clinton ka rritur epërsinë ndaj zotit Trump. Disa anketa tregojnë se zonja Clinton kryeson me një diferencë nga 2 deri në 12% ndaj zotit Trump.

XS
SM
MD
LG