Lidhje

Përpjekjet e afrikano-veriorëve për të mbërritur në Evropë


Melila është një territor spanjoll pranë brigjeve të Marokut. Qyteti me 80 mijë banorë, shërben shpesh si portë për emigrantët nga Afrika veriore që kërkojnë të shkojnë në Evropë. Por për ta nuk është e thjeshtë të shkojnë aty, e aq më pak të largohen prej Melilës në drejtim të Evropës.

Këta të rinj imigrantë afrikano-veriorë arritën të vinin në Evropë. Por tashmë janë të bllokuar këtu, në territorin spanjoll të Melilas, një qytet pranë brigjeve të Marokut.
Autoritetet nuk mund t’i kthejnë në Marok, pasi ata janë tepër të vegjël në moshë. Prandaj, të lënë me ato që kanë, ata jetojnë duke u mbështetur tek bamirësitë dhe presin ndonjë mundësi për të arritur anën tjetër të Mesdheut.

“Mendoj se Melila është porta për në Evropë, pasi të gjithë shokët e mi po shkojnë në Francë.”

Ata ndodhen në territor spanjoll, por të arrish në Spanjën kontinentale nuk është e lehtë. Anijet kontrollohen me imtësi dhe këta të rinj do ta kenë të vështirë të kalojnë Mesdheun pa dokumente. Sipas Jose Palazon të organizatës Prodein, çdo ditë rreth 4 ose 5 imigrantë provojnë fatin.

“Për të ikur prej këtu, ata vijnë kalojnë këtë mur duke u hedhur në port. Kur ndodhen në port, ata përpiqen të futen në ndonjë kamion ose poshtë ndonjë kamioni, i cili më pas futet në një anije dhe mbërrin në Malaga ose Almeria. Atje, ata duhet të jenë me fat që të mos vihen re nga autoritetet. Nëse nuk kapen, përfundojnë në rrugët e Spanjës kontinentale.”

Melila është një hyrje e rëndësishme për në Evropë. Por për të për të ardhur këtu emigrantëve u duhet të kalojnë kufirin që ka masa të larta sigurie. Ky gardh me tre shtresa ndan Marokun nga territori spanjoll me 80 mijë banorë. Megjithatë, qindra emigrantë e kalojnë atë çdo vit.

Por shumica e tyre kalojnë përmes pikës doganore kryesore të Beni Anzar, ku çdo ditë kalojnë rreth 35 mijë njerëz dhe 7 mijë makina. Disa paguajnë deri në 4 mijë euro për t’u fshehur brenda automjeteve.

“Një 16-vjeçare ishte poshtë kësaj sediljeje, ishte nga Saharaja e poshtme,” thotë oficeri i Rojes Civile spanjolle Juan Antonio Martin Rivera.

Marokenëve u lejohet të kalojnë kufirin. Prandaj, shumë emigrantë nga vende të tjera përpiqen të kalojnë me dokumente të rreme të Marokut, që kushtojnë rreth 400 dollarë. Është një mënyrë e preferuar nga algjerianët.

“Algjeria ndodhet më pak se 100 kilometra larg. Prandaj është e lehtë për ta të arrijnë në kufi. Ata futen me dokumente të rreme marokene dhe më pas vijnë tek qendra e emigrantëve ku deklarojnë se janë algjerianë,” thotë drejtori i qendrës së përkohshme të emigrantëve në Melila, Carlos Montero Diaz.

Mënyra e tretë është deti. Çdo vit shumë emigrantë mbyten duke u përpjekur të arrijnë në Melila nga brigjet e Marokut. Nëse mbijetojnë dhe mbërrijnë në territorin spanjoll, ata do të gjenden këtu në Melila, ende larg destinacionit përfundimtar.
XS
SM
MD
LG