Lidhje

Flamuj në varrezën kombëtare, në Ditën e të Rënëve


Sot në Shtetet e Bashkuara është Dita e të rënëve, kur amerikanët kujtojnë ata që kanë dhënë jetën duke luftuar për vendin e tyre. Në prag të kësaj feste, ushtarët vendosin flamurë amerikanë pranë 360 mijë varreve në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit, pranë Uashingtonit. Kjo quhet ceremonia e flamujve.

Koloneli i Ushtrisë James Markert vendos një flamur tek varri i Christopher Hendersonit, që u vra në Irak para gjashtë vjetësh. E veja e Hendersonit, Jennifer dhe vajza e tyre kanë ardhur në varreza ashtu sic kanë bërë cdo vit që kur ai vdiq.

“Sikur ndjehemi më afër tij kur vijmë këtu dhe është një mënyrë për ta nderuar”.


Batalioni i tretë i këmbësorisë, është një njësi ceremoniale. Prej 60 vjetësh vendos flamuj tek varreza e të rënëve. Kolonel Markert është komandant i tij.

“Është një mënyrë për të nderuar premtimin ndaj ushtarakëve se nëse u ndodh gjë atyre, ne do të kujdesemi për familjet e tyre”.

Një familje viziton varrin e ushtarit William Beardsley, që gjithashtu humbi jetën në Irak dhe sot do të kishte qenë 32 vjeç. Nëna e tij, Diana thotë se sa herë që vijnë këtu lënë mesazhe pranë varrit.

“Sidomos fëmijët, që ne i flasim për jetën e tyre dhe i lexojmë letrat këtu tek varri i tij”.

1,300 ushtarëve u duhen rreth tre orë për të vënë një flamur në çdo varr. Disa nga varret janë aty që nga viti 1864, pra që nga Lufta Civile. Disa nga ushtarët e rënë kanë luftuar në disa luftra.

Është hera e parë që togeri Ricardo Rodriguez merr pjesë në ceremoninë e vendosjes së flamurëve.

“Ndjehem i privilegjuar që jam këtu dhe nderoj shokët e mi që dhanë jetën”.

Ushtarët mbajnë dhjetra flamuj në çantat e shpinës. Ata vendosin nga një flamur rreth 30 centimetra para çdo guri varri, duke e matur distancën me këpucë.

Togerja Ann Ogonowski vjen nga një familje që ka shërbyer për pesë breza në ushtri.

"Është krenari dhe nder. Mendoj se kjo është gjëja më e nderuar qe mund të bësh si pjesëtar i kësaj njësie ushtarake”.

Ushtarit Taylor Davis, që ka marrë pjesë në këtë ritual për disa vjet me radhë, i bëjnë përshtypje përmasat e varrezës.

“Kur mendoj për numrin e burrave dhe grave që prehen këtu, ndjej frymëzim. Është një ndjesi shumë e veçantë ”.

Një ndjesi e vecantë që e kanë edhe familjarët, njerëzit e të cilëve prehen në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit.
XS
SM
MD
LG