Lidhje

Pastrimi i përmendores së Luftës së Vietnamit


Përmendorja e Veteranëve të Vietnamit në Uashington është një nga më të vizituarat e kryeqytetit

Përmendorja e Veteranëve të Vietnamit në Uashington është një nga më të vizituarat e kryeqytetit. Në murin e saj të zi janë shkruar emrat e më shumë se 58.000 amerikanëve që humbën jetën ose u zhdukën gjatë Luftës së Vietnamit, e cila zgjati dy dekada dhe përfundoi në vitin 1975. Çdo të dielë, nga prilli deri në tetor, një grup vullnetarësh mblidhen në orët e para të mëngjesit për të shprehur respektin ndaj atyre që nuik janë më. Julie Taboh e Zërit të Amerikës ishte një të dielë pranë përmendores dhe përgatiti një reportazh.

Nën diellin që ngrihet mbi Uashington, këtu shikon një numër burrash dhe grash duke pastruar.

Ata bëjnë pjesë në grupin Rolling Thunder, që përpiqet të ndërgjegjësojë njerëzit në lidhje me robërit amerikanë të luftës dhe atyre që ende nuk u dihet fati. Sot, ata kanë ardhur për të pastruar muret prej graniti të përmendores së Veteranëve të Vietnamit, ku janë gdhendur emrat e 58.286 amerikanëve të vrarë ose të zhdukur gjatë konfliktit.


Për këta burra dhe gra, shumica veteranë, pastrimi i murit është diçka personale.

"Rolling Thunder ka privilegjin të nderojë veteranët. Të tregojë se ata nuk janë harruar. Të paktën kurrë nuk duhet të harrohen."

"E bëjmë këtë për vizitorët e Murit por edhe për të shëruar shpirtërisht veten".

"Në Mur është edhe emri i një shokut tim. E quaj privilegj që vij këtu për ta mbajtur Murin të pastër."


Shumë anëtarë të organizatës Rolling Thunder vijnë me biçikleta. Ata vijnë në Uashington nga të gjitha anët me rastin e ditës së të rënëve por edhe në raste të tjera.

Sot, më shumë se 30 vjet pas përurimit, Muri ende tërheq miliona vizitorë çdo vit. Shumë prej tyre vijnë për të gjetur emrat e të afërmve dhe për të shprehur nderim ndaj tyre.

Jan Scruggs, veteran i Vietnamit, ka qenë forca shtytëse prapa projektit.

"Ky memorial ka ndihmuar për të shëruar plagët e shumta nga lufta - plagët psikologjike - duke parë dhe duke prekur emrin e njërit prej miqve shumë njerëz ndiejnë një farë lehtësimi pas shumë vitesh. Pra, pastrimi i Murit në një farë mënyre është pjesë e kësaj."

Për shumë anëtarë të grupit Rolling Thunder, kjo sjell lehtësim, por, më e rëndësishmja është përkujtimi.


"Ata nuk janë harruar dhe kjo është një mënyrë për t'u siguruar se ata nuk do të harrohen."

XS
SM
MD
LG