Lidhje

Shkup, kryetari i PDSH merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme

  • Isak Ramadani

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi i është përgjigjur ftesës së Prokurisë së Posaçmë dhe për një orë ai ka dëshmuar të hënën para prokurorëve. Zyrtarisht, nuk është bërë e ditur arsyeja e thirrjes së tij në prokurori. Por kjo mund të jetë e lidhur me skandalin e përgjimeve pasi prokuroria e posaçme është themeluar për të hetuar këtë çështje.

Në përgjimet e publikuara në fillim të vitit të kaluar nga opozita maqedonase, mes tjerash dëgjohej edhe zëri i zotit Thaçi duke folur me drejtorin e atëhershëm të shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijallkov, cili tashmë ka dhënë dorëheqjen për shkak të skandalit të përgjimeve.Në bisedën e përgjuar telefonike, Mijallkov i kërkonte zotit Thaçit që anëtari i partisë së tij në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të votonte në shërbim të VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, pasi doli nga seanca e Prokurorisë së Posaçme, Menduh Thaçi u shpreh shkurt para mjeteve të informimit, duke thënë se “Kur flet drejtesia - politika duhet te heshte!"

Edhe anëtarja e KSHZ, Silvana Boneva, ish-deputete e partisë VMRO-DPMNE në pushtet, ka dëshmuar të hënën para Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa, rolin e Prokurorisë së Posaçme ajo e quajti “Një cirk mediatiko-politik”. Ajo nuk saktësoi se në çfarë cilësie ishte thirrë në prokurori.

Thaçi dhe Boneva u paraqitën (veç e veç) në prokurori pa praninë e avokatëve.

Prokuroria e Posaçme u themelua me vendimin e parlamentit të Maqedonisë pas marrëveshjes së katër partive kryesore politike të ndërmjetësuar nga komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë fund krizës politike që e ka përfshirë vendin prej më tepër së një viti.

XS
SM
MD
LG