Lidhje

Merkel: E ardhmja e euros dhe Evropa e Bashkuar në rrezik


Merkel: E ardhmja e euros dhe Evropa e Bashkuar në rrezik
Merkel: E ardhmja e euros dhe Evropa e Bashkuar në rrezik

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për rregulla më të rrepta financiare dhe kërkoi masa të forta për uljen e borxheve qeveritare, duke thënë se e ardhmja e euros dhe vetë Europa e Bashkuar janë në rrezik. Komentet bëhen ndërkohë që borxhet e qeverive europiane kanë ngjallur shqetësime se kriza mund të përhapet.

Kancelarja Angela Merkel u tha deputetëve gjermanë se Europa përballet me një provë të ekzistencës së saj ndërkohë që përpiqet për të shpëtuar monedhën e 16 vendeve, euron.

"Kjo ka të bëjë as më shumë e as më pak me ruajtjen e idesë europiane. Kjo është detyra jonë historike. Nëse euroja dështon, atëhere Europa dështon. Por nëse i dalim përpara rrezikut, atëhere euroja dhe Europa do të jenë më të forta se kurrë,” deklaroi ajo përpara dhomës së ulët të parlamentit.

Kancelarja u bëri thirrje deputetëve të miratojnë pjesën gjermane të paketës prej 750 miliard euro për shpëtimin e eurozonës.

Ajo e bëri të qartë se shkaku themelor i krizës së borxhit është fakti se disa vende që nuk kanë forcë konkurruese jetojnë mbi mundësitë e tyre. Ajo bëri thirrje për më tepër stabilitet dhe masa ndëshkuese ndaj atyre vendeve që kalojnë në deficite buxhetore të tepruar.

Këto masa mund të përfshijnë mos dhënien e fondeve strukturore të Bashkimit Europian apo pezullimin e përkohshëm të të drejtave të votës për ato vende që shkelin rregullat, tha kancelarja gjermane.

Zonja Merkel përsëriti premtimin për të kërkuar taksimin e tregjeve financiare në Europë dhe më tej.

Ajo vuri në dukhe vendimin e djeshëm të Gjermanisë për të ndaluar shitjen e shkurtër në treg të borxheve të eurozonës apo të aksioneve të kompanive të mëdha financiare. Kjo, tha zonja Merkel, do të mbetet në fuqi deri sa të jenë hartuar rregulla në shkallë më të gjerë europiane.

Parlamenti gjerman po e shqyrton paketën për shpëtimin e eurozonës dy javë pas një pakete tjetër më të vogël për shpëtimin financiar të Greqisë, e cila ishte jo popullore në Gjermani.Greqia e mori këstin e parë të kredisë dje.

Gjermania është kontribuesja kryesore e kësaj kredie me 4,4 miliard euro e ndjekur nga Franca me 3,3 miliardë.

XS
SM
MD
LG