Lidhje

Merkel mund të marrë një mandat të ri


Gjermania do të mbajë zgjedhjet parlamentare të djelën dhe partia e Kancelares Angela Merkel është mjaft lart në anketat e opinionit. Optimizmi për rritjen ekonomike duket se po shkon në favorin e saj dhe pak çështje të tjera janë pjesë e fushatës zgjedhore të Partisë Kristian Demokrate.

Në prag të zgjedhjeve të së djelës, një parti duket se është më e preferuara, Partia Kristian Demokrate e Angela Merkelit.

“Kemi patur katër vite të mira dhe duam edhe katër vjet të tjerë që në 2017-n të themi se më shumë njerëz janë më mirë sot”.

Arritjet ekonomike të zonjës Merkel duhet t’i japin asaj një mandat të tretë, thotë Simon Tilford i Qendrës për Reformën Evropiane në Londër.

“Shumë gjermanë që janë mjaft kritikë ndaj mënyrës se si është trajtuar kriza e eurozonës, i njohin zonjës Merkel meritën se e zbuti dëmin ndaj Gjermanisë”.

Anketat tregojnë se kristian demokratët e zonjës Merkel nuk e kanë shumicën absolute. Partneri i tyre i tanishëm i koalicionit, Demokratët e Lirë, ka të ngjarë të humbasi vende.

Kështu, social demokratët që tani janë në vend të dytë, ka mundësi t’i bashkohen Kancelares Merkel në një koalicion të madh të qendrës dhe të së majtës. Nëse fitojnë shumë vende, ata mund të hyjnë në koalicion me të Gjelbërit, duke e lënë zonjën Merkel jashtë qeverisë.

Çfardo qeverie që të krijohet në Gjermani, politika e tanishme e vendit për trajtimin e krizës evropiane të borxhit ka të ngjarë të ndryshojë, thotë Simon Tilford.

“Nuk ka parti politike në Gjermani që të mbështesë zgjidhje për krizën e eurozonës që t’u përlqenin qeverive të Evropës Jugore, apo qeverive amerikane e britanike. Asnjëra nga partitë politike nuk mbështet një bashkim fiskal”.

Në Evropën Jugore, veçanërisht në Greqi, Gjermania vazhdon të fajësohet si vendi që detyroi Bashkimin Evropian të marrë masa shtrënguese ekonomike. Shumë grekë ia hedhin fajin zonjës Merkel.

"Për sa u përket grekëve, politikat e saj janë negative dhe të papërballueshme”, thotë ky grek i papunë.

"Ata shikojnë interesat e Gjermanisë dhe jo tonat”, thotë kjo avokate.

Bashkimi Evropian është frenuar nga marrja e vendimeve drastike deri pas përfundimit të zgjedhjeve në Gjermani, thotë profesor Michael Wohlgemuth, drejtor i qedrës studimore "Open Europe", me bazë në Berlin.

"Nuk është vetëm Greqia, është edhe bashkimi bankar, ku duhet të marrim disa vendime së shpejti për një mekanizëm të vetëm kontrolli dhe për ristrukturimin e shumë bankave si në Gjermani ashtu edhe në Francë”.

Ndërsa partnerët e BE-së, Britania dhe Franca, kanë qënë në krye të diplomacisë perëndimore për Sirinë, çështjet e politikës së jashtme kanë luajtur pak rol në zgjedhjet e Gjermanisë, thotë Simon Tilford.

“Nëse diçka po fuqizohet, janë pikërisht pacifizmi gjerman, ngurimi për t’u angazhuar në botë, ngurimi për të menduar në mënyrë strategjike për çështje të politikës së jashtme”.

Industria e famshme gjermane e makinave ka kapur nivelin më të lartë në 16 muaj. Shumë analistë thonë se optimizmi lidhur me ekonominë, duket se është në themel të gatishmërisë së gjermanëve që t’i përmbahen status quo-së.
XS
SM
MD
LG