Lidhje

Merkel, Hollande: SHBA të ndalin përgjimet


Zyrtarë të lartë gjermanë dhe deputetë evropianë thanë se do të shkojnë së shpejti në Uashington për të biseduar rreth pohimeve se Shtetet e Bashkuara kanë kryer përgjime kundër aleatëve. Gjermania dhe Franca po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të ndalin përgjimet në Evropë, me synimin që deri në fund të këtij viti të arrihet një marrëveshje që i jep fund këtij lloj aktiviteti. Takimi i nivelit të lartë i Bashkimit Evropian në Bruksel u la në hije nga njoftimet rreth përgjimeve amerikane.

Gjermania bëri të ditur sot se krerët e agjencive të saj të zbulimit të jashtëm e të brendshëm do të shkojnë në Uashington por pa dhënë ndonjë datë konkrete. Edhe disa ligjvënës evropianë kanë njoftuar se do të takohen me zyrtarët amerikanë javën e ardhshme lidhur me çështjen e përgjimeve amerikane.

Ndërkohë, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se njoftimet rreth përgjimeve të agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare kanë tronditur besimin tek administrata e Presidentit Obama dhe kanë minuar marrëdhëniet e rëndësishme ndëratlantike.

Ajo tha se Presidenti Obama i kishte bërë të ditur se thirrjet e saj telefonike nuk ishin përgjuar nga SHBA, ndryshe nga sa thuhej në një lajm të publikuar këtë javë. Por, duke komentuar sot në Bruksel, Kancelarja gjermane tha se i kishte deklaruar zotit Obama në telefon që përgjimi ndaj një aleati të Uashingtonit është i papranueshëm.

"Mendoj se më e rëndësishmja për momentin është gjetja e një baze se si do të veprojmë në të ardhmen, dhe, siç e thashë edhe sot, duhet rivendosur besimi. Kjo nënkupton se besimi është tronditur rëndë dhe këto shqetësime u shprehën sot nga anëtarët e Këshillit Evropian."

Komentet e ashpra të zonjës Merkel tregojnë se ajo nuk është qetësuar nga biseda telefonike që pati me Presidentin Obama ose nga sigurimet e dhëna prej tij se telefoni i saj nuk është përgjuar.

Gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung shkruan sot se përgjimet që thuhet se i janë bërë telefonit të zonjës Merkel, mund të jenë kryer nga ambasada amerikane në Berlin, e cila ndodhet më pak se një kilometër nga zyra e Kancelares gjermane. Sipas gazetës, ambasada amerikane ka një pikë përgjimi që administrohet bashkarisht nga agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe nga CIA.

Shtëpia e Bardhë mund të përballet së shpejti edhe me zemërimin e udhëheqësve të tjerë.

Gazeta britanike The Guardian njoftonte dje se kishte një dokument sekret që linte të kuptohej se në vitin 2006, Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare ishte në gjendje të përgjonte komunikimet e 35 udhëheqësve botërorë.

Zonja Merkel i bashkohet homologut të saj francez, Presidentit François Hollande, duke bërë SHBA përgjegjëse për shkeljen aleancës mes tyre.

"Për të qenë më konkret, ne nuk mund të sqarojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por mund të biem dakord rreth disa gjëra për të ardhmen. Kjo është ajo që unë e quaj Kornizë e Përbashkët e Bashkëpunimit".

Zoti Hollande tha se ata presin që deri në fund të vitit të jetë arritur një marrëveshje.
Udhëheqësit e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian theksuan se një partneritet me Shtetet e Bashkuara duhet të bazohet në besimin dhe respektin, veçanërisht në punën e shërbimeve sekrete.
XS
SM
MD
LG