Lidhje

Takim Merkel-Mustafa në Berlin


Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të martën se një prej detyrimeve më të rëndësishme të Kosovës është që të çojë deri në fund bisedimet me Serbinë.

Ajo i bëri këto komente pas takimit në Berlin me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.

Zonja Merkel radhiti edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ngritjen e Gykatës së Posaçme në mesin e mesazheve për kryeministrin Mustafa me të cilin ka diskutuar edhe cështjen e migruesve nga Kosova. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për marrëveshje të drejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe ngritjen e Gjykatës së Posacme në Kosovë, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte. Ajo i bëri këto thirrje gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili po qëndron në Berlin, pak orë pasi që delegacioni i drejtuar prej tij dhe ai i Serbisë, dështuan të arrijnë marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Kancelarja Merkel, e cila javën e ardhshme do të qëndrojë në Bograd, për të nxitur përparime në këtë proces, tha se ky është kusht për përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.

“Natyrisht, ne kemi një interes shumë të madh që të arrihen marrëveshje të drejta dhe kjo vlen për të dyja palët. Kompromise duhet të bëjnë të dyja palët, jo vetëm Kosova, por natyrisht edhe Serbia. Unë i nxisë të dyja, sepse vetëm nëse shënojnë përparime në bisedime, do të arijnë përparime edhe në rrugën evropiane. Kjo vlen edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, tha zonja Merkel, e cila deri tash ka ngulur këmbë që hapja e kapitujve të negociatave me Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të paraprihen nga një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se me kancelaren Merkel është biseduar për çështjet zhvillimore, integrimin evropian dhe përmbushjen e kritereve për këto integrime, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit por edhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Ai u shpreh i përkushtuar edhe ndaj detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës.

“Kancelarja na ka dhënë përkrahjen por edhe edhe kërkesën e saj që ne të intensifikojmë dhe të përparojmë edhe më tutje procesin e dialogut me Serbinë dhe po ashtue që të përmbushim obligimet tona dhe detyrimet sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale si një prej detyrimeve që ne kemi marrë”, tha ai.

Të dy zyrtarët e lartë thanë se kanë diskutuar edhe për cështjen e migruesve të paligjshëm nga Kosova të cilët, sic u tha nuk kanë asnjë mundësi që të përfitojnë nga politikat e strehimit.

Takimi me kryeministrin Mustafa i paraprinë një turneu të kancelaresë Merkel në Serbi, Shqipëri e Bosnjë, që sipas saj dëshmon se Gjermania ësthë e interesuar për qëndrueshëmri në rajonin e Ballkanit që ende përballet me pasojat e së kaluarës që ka lënë pas vetes cështje të pazgjidhura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG