Lidhje

Polemika të reja rreth përgjimeve amerikane


Udhëheqësit e 28 vendeve të Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel, ndërkohë që vazhdojnë polemikat rreth pohimeve se Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar ka përgjuar telefonin celular të Kancelares gjermane Angela Merkel.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle ka thirrur ambasadorin amerikan në Berlin për të diskutuar mbi këtë çështje. Dje gjatë një bisede telefonike, Presidenti Barak Obama i tha Kancelares gjermane Angela Merkel se Shtetet e Bashkuara nuk kanë përgjuar dhe as do të përgjojnë thirrjet e saj telefonike.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se dy udhëheqësit ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e zbulimit për të mbrojtur sigurinë e dy vendeve, të aleatëve të tyre, dhe privatësinë e qytetarëve të tyre.

Sipas një deklarate të zëdhënësit të zonjës Merkel, Kancelarja gjermane ia kishte bërë të qartë zotit Obama se "ajo i sheh praktika të tilla ... si krejtësisht të papranueshme dhe i dënon ato pa mëdyshje".

Administrata e Presidentit Obama i ka mohuar njoftimet në lidhje me shumë nga aktivitetet amerikane të zbulimit, ndërkohë që përballet me një stuhi kritikash rreth akuzave të reja se ka përgjuar aleatët e saj. Njoftimet burojnë nga dokumentet sekrete të nxjerra nga ish kontraktori i Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden, i cili jeton në Rusi.

Presidenti Obama ka kërkuar një rishikim të mënyrës se si agjencitë amerikane grumbullojnë të dhënat e zbulimit. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se kjo përpjekje synon të sigurojë ekuilibrin e duhur mes shqetësimeve për sigurinë dhe atyre për privatësinë.

Zonja Merkel kishte ngritur shqetësime në lidhje me çështjen e përgjimit elektronik, kur zoti Obama vizitoi Gjermaninë në muajin qershor. Ajo ka kërkuar përgjigje nga qeveria amerikane dhe ka mbështetur thirrjet për një mbrojtje më të mirë të të dhënave evropiane.

Presidenti francez, François Hollande kishte kërkuar që çështja e përgjimeve amerikane të vihej në rendin e ditës të takimit të nivelit të lartë mes udhëheqësve evropiane që fillon sot.

Dy ditë më parë, drejtori i zbulimit amerikan James Clapper bëri një deklaratë ku thuhej se informacioni i zbulimit që grumbullohet nga Shtetet e Bashkuara është i po atij lloji që mbledhin të gjitha vendet, si pjesë e përpjekjeve të tyre për të luftuar terrorizmin dhe kërcënime të tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG