Lidhje

Konferenca ekonomike gjermano - shqiptare


Në fund të vizitës disa-orëshe në Tiranë, kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama folën në konferencën ekonomike gjermano - shqiptare për të zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve. Kjo konferencë u mbajt në Tirana Business Park, një nga investimet e fundit gjermane në Shqipëri.

Kancelarja Merkel tha para qarqeve të biznesit se Gjermania ka një interes të qëndrueshëm për investime dhe shkëmbime tregtare me Shqipërinë.

“Ekonomia gjermane është e gatshme të investojë nëse gjen një terren të sigurtë ligjor dhe mos-ndryshim të befasishëm të kushteve dhe klimës së binesit” - theksoi zonja Merkel.

Kërkesat e shqiptarëve për azil në Gjermani janë një paradoks, tha ajo, sepse Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE. “Rruga e azilkërkimit nuk mund të funksionojë” - theksoi zonja Merkel.

“Ligji i ri për investimet e huaja dhe ai për krijimin e zonave ekonomike me status të vecantë janë të rëndësishme sikurse edhe reforma në sistemin e drejtësisë” - tha zonja Merkel.

Sipas kancelares gjermane, në Shqipëri ka shumë pengesa që duhen tejkaluar, si për shembull krijimi i një administrate efikase publike apo lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse sipërmarrjet këtu jetojnë në një mjedis jo të lehtë.

Ajo kërkoi që perspektiva për bashkëjetesë në rajon të zhvillohet më tej bazuar në projektet e paraqitura nga kryetarët e qeverive ballkanike në konferencën e vendeve të Ballkanit perëndimor. Sipas saj, nga kjo konferencë kanë lindur projekte mjaft të mira.

“Së afërmi do të takohemi në Vienë në vazhdim të asaj konference dhe do të diskutojmë për autostradën adriatiko-joniane etj. Duhet të përshpejtojmë hapat në këtë proces” - tha kancelarja Merkel.

Një temë tjetër është linja e tensionit e tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, linja me Kosovën dhe projekte të tjera të infrastrukturës energjitike dhe telekomunikacionit në rajon.

“Këto ndërtime nuk janë vetëm në interes të Ballkanit, por janë edhe në interes të gjithë BE-së. Nëse në këtë rajon nuk ka paqe, atëherë ne do të kemi shumë refugjatë, do të kemi shumë sfida për të përballur” - tha zonja Merkel.

Bashkëjetesa paqësore në këtë rajon është në interesin e përbashkët, tha kancelarja gjermane. “Përtej Ballkanit, rreziqe mjaft të mëdha e kërcënojnë Europën, si terrorizmi islamist, lufta civile në Siri çka nuk janë shumë larg vendeve tona” - theksoi kancelarja gjermane.

“Dëgjoj shpesh të thuhet se Kroacinë dhe Slloveninë e kemi marrë në BE, ndërsa kur bëhet fjalë për vende me popullsi muslimane BE i ngadalëson ritmet. Nuk është kështu. Përpjekjet tuaja vlerësohen dhe gjykohen njëlloj si vendet e tjera” - siguroi ajo, duke shtuar se Shqipëria nuk është vetëm kandidate për në BE, por është prej vitesh edhe anëtare e NATO-s.

Kryeministri Rama tha nga ana e tij se bashkëpunimi i shqiptarëve me bizneset gjermane po sjell investime, fitime dhe një kulturë të re pune në ekonominë e tregut të lirë.

Ai theksoi se brenda pak javësh do të hyjnë në fuqi dy ligje të reja mbi përmirësimin e klimës së biznesit. “Sipërmarrjet gjermane janë një vlerë e shtuar për ekonominë shqiptare, sepse ato investojnë edhe tek kapacitetet njerëzore” - theksoi zoti Rama.

Shqipëria dhe Gjermania janë angazhuar për një bashkëpunim më të madh ekonomik në fushat e transportit, bujqësisë, komunikacionit dhe energjisë.

XS
SM
MD
LG