Lidhje

Merkel, mbështetje integrimit të Ballkanit në BE


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot nga Tirana se vendet e Ballkanit kanë nevojë për një perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin europian. Zonja Merkel nisi nga kryeqyteti shqiptar një turne ballkanik, gjatë së cilit do të vizitojë sonte Beogradin dhe nesër Bosnjen. Cështja e integrimit europian të rajonit ishte një ndër temat qëndrore të bisedimeve të saj me kryeministrin shqiptar Edi Rama sipas të cilit Europa është fjala kyce e paqes në Ballkan.

Merkel ne Tirane
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Me përpikmëri maksimale, automjeti i kancelares gjermane Angela Merkel u ndal përpara godinës së qeverisë shqiptare në orarin e përcaktuar, 14.15 minuta. Përvec kryeministrit Edi Rama për të përshendetur vizitën e saj, të parën të një kancelari gjerman në Shqipëri, kishin dalë edhe disa qindra qytetarë që e duartrokitën.

Zonja Merkel, nismëtare e asaj që tanimë njihet si procesi i Berlinit, mblodhi gushtin e shkuar udhëheqësit e Ballkanit, për t’i dhënë një shtysë përshpejtimit të procesit europian por edhe bashkëpunimit mes vetë vendeve të rajonit të Ballkanit. Edhe sot ajo i mëshoi kësaj cështjeje ndërsa deklaroi se “është në interes edhe të vetë Bashkimit europian që Ballkani të ketë një perspektivë të sigurtë të anëtarësimit. Ky proces ka të bëjë dhe me besueshmërinë e këtyre vendeve ndaj BE-së, dhe ai do të ketë sukses nëse kjo perspektivë sigurohet jo vetëm në letra por dhe bëhet realitet”, tha ajo.

Edhe kryeministri Edi Rama vuri theksin të nevoja që ëndrra europiane e vendeve të rajonit të mos shuhet: “Pa fuqinë tërheqëse të BE-së, endrrat tona rrezikojnë të kthehen në boshllëk të maktheve të së shkuarës, ndërsa shtysa për reforma dhe për bashkëpunim mes nesh rrezikon t’i lerë vendin tundimeve nacionaliste dhe esktremiste. Një mundësi e tillë do të ishte tragjike, jo vetëm për Ballkanin por edhe vetë Europën. Dhe paqja që kemi arritur deri këtu duke kapërcyer lumenj gjaku dhe vite të tëra konfliktesh mes nesh, ka vetëm një fjalë kyce EUROPA”.

Shqipëria nga ana e saj shpreson të marrë që këtë vjeshtë rekomandimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Një gjë e tillë sipas kryeministrit Rama do të ishte në favor edhe të frenimit të fenomenit te emigracionit që sipas tij është një cështje dhe sociale: “Shpresa për punësim real dhe mirëqënie është një shtysë e fortë në këtë drehtim, dhe konfirmimi nga ana e Bashkimit europian i progresit të bërë nga vendi ynë, pas marrjes së Statusit të vendit kandidat, përmes celjes së fazës tjetër të procesit të integrimit do të fuqizonte shumë, solidaritetin në Shqipëri dhe mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”.

Kancelarja Merkel evitoi të jepte afate për hapjen e bisedimeve për Shqipërinë duke theksuar se ato ja të lidhura me përmbushjen e kushteve, duke ju referuar reformës në Drejtësi e cila ende nuk ka përfunduar. Megjithatë saktësoi ajo Shqipëria ka bërë përparime.

Mes palëve është biseduar sot dhe për marrëdhëniet bilaterale. "Ka më shumë mundësi të bashkëpunimit ekonomik" tha kancelarja Merkel, ndërsa theksoi se "investitorët gjermane kanë nevojë për siguri juridike". Investimet gjermane shihen nga autoritet shqiptare si një mundësi e fortë për t’i dhënë një shtysë zhvillimit ekonomik të vendit.

XS
SM
MD
LG