Lidhje

Takimi Merkel - Rama dhe integrimi europian i Shqipërisë


Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri shqiptar Edi Rama diskutuan sot në Berlin mbi ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë.

Takim Rama-Merkel
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Në konferencën e përbashkët për shtypin, zonja Merkel theksoi mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së si dhe përmbushjen e 5 kritereve të Komisionit Europian, si zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Shqipëria vitet e fundit është shndërruar në mënyrë të thellë, falë reformave. KE ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe i ka vlerësuar ato. Gjermania është përpjekur ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimet e tanishme dhe ka dërguar përfaqësues në misionin Euralius. Kjo ka bërë që reforma juridike të vihet në funksionim” - tha zonja Merkel.

Sipas saj, e rëndësishme është që kjo rrugë të vazhdojë. KE ka përmendur 5 prioritete, ku bën pjesë zbatimi i kësaj reforme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që janë hapa të përhershëm.

“Kam parasysh edhe zgjedhjet që do të ketë Shqipëria. Besoj se janë arritur gjëra të rëndësishme. Duhet shumë forcë dhe guxim për ta ndjekur këtë rrugë” - tha zonja Merkel, duke kujtuar se Shqipëria është bërë antare e rëndësishme dhe aleate e fortë në NATO dhe se marrëdhëniet dypalëshe po forcohen.

Ndërsa kryeministri Rama tha se Shqipëria nuk pret asgjë të pamerituar dhe se integrimi europian është angazhim kombëtar në Shqipëri.

“Procesi i intergimit duhet të jetë i ndershëm dhe i parashikueshëm. Shqipëria ka miratuar një reformë të madhe në drejtësi dhe se tani është koha për ta zbatuar” - tha ai.

Zoti Rama theksoi se Shqipëria dhe BE kanë nevojë për njëra tjetrën.

XS
SM
MD
LG