Lidhje

Merkel: Emigrantët ekonomikë do të kthehen


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se refugjatët që vijnë në ekonominë më të madhe të Evropës për një jetë më të mirë dhe jo për t'i shpëtuar përndjekjeve apo luftës, do të duhet të kthehen. Zonja Merkel i bëri komentet sot në parlamentin gjerman.

"Ata që nuk janë larguar për shkak të përndjekjes politike ose të luftës, por vijnë tek ne nga nevoja ekonomike nuk do të mund të qëndrojnë në Gjermani," tha zonja Merkel në parlamentin gjerman.

Ajo tha gjithashtu se ekonomia e eurozonës është tani në gjendje më të mirë se një vit më parë dhe se përpjekjet për reforma nga vendet si Spanja dhe Irlanda po japin rezultate.

"Nëse e shikojmë eurozonën në tërësi, mund të themi se ka një rimëkëmbje ekonomike, gjendja është më e mirë se një vit më parë. Në veçanti, vendet e eurozonës që kanë bërë reforma të thella, Spanja dhe Irlanda, kanë rritje më shumë se mesatarja. Në Spanjë rritja është po aq e shpejtë sa edhe përpara krizës. Ne mund të themi vetëm se rruga e reformës ia vlejti," shtoi kancelarja Merkel.

Në komentet për krizën e refugjatëve, udhëheqësi i partisë së majtë të opozitës Gregor Gysi paralajmëroi për probleme të mëdha në të ardhmen.

"Luftëra dhe konflikte po ndodhin në Siri, Jemen, Irak, Turqi, Ukrainë dhe vende të tjera. Luftërat vrasin dhe shkatërrojnë. Dhe njerëzit po largohen për të mos u vrarë dhe shfarosur", tha zoti Gysi.

Gjermania, e cila po përballet me një numër rekord azilkërkuesish, u kërkoi partnerëve të saj europianë të hënën që të pranojnë më shumë refugjatë.

XS
SM
MD
LG