Lidhje

Merkel, Sarkozi, përballen me Kryeministrin Papandreu


Merkel, Sarkozi, përballen me Kryeministrin Papandreu
Merkel, Sarkozi, përballen me Kryeministrin Papandreu

Udhëheqësit evropianë përballen sonte me kryeministrin grek, George Papandreu lidhur me thirrjen e tij për një referendum mbi marrëveshjen për lehtësimin e borxhit.

Presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel e kanë thirrur udhëheqësin grek për bisedime në Kanë të Francës, një ditë përpara fillimit të takimit të Grupit të 20 udhëheqësve botërorë. Greqia nuk është anëtare e grupit, por plani i papritur i zotit Papandreu për të mbajtur një referendum është kthyer tashmë në temën kryesore të takimit të nivelit të lartë.

Thirrja për referendum e zotit papandreu tronditi dje bursat botërore për shkak të shqetësimit të investitorëve se plani për lehtësimin e borxhit mund të mos vihet dot në zbatim dhe se Greqia nuk do të jetë në gjendje të shlyejë këstet e kredive.

Marrëveshja e arritur javën e kaluar parashikon që bankat të falin 140 miliard dollarë borxhe të Greqisë për të stabilizuar financat e saj. Por kjo ka shkaktuar protesta të shumta dhe nganjëherë dhunë në Greqi, kundër masave të ashpra që kreditorët ndërkombëtarë i kanë imponuar vendit.

Zoti Sarkozi tha se marrëveshja mbarë-evropiane është "e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin e borxhit grek." Ndërsa zonja Merkel u shpreh me shaka se ajo i do grekët, "kur ata veprojnë në mënyrë të arsyeshme."

Grekët reagojnë: E ardhmja politike e zotit Papandreu

Shumë grekë shfaqën sot dyshime se kryeministri Papandreu do të vazhdojë të qendrojë në fuqi pas një vote mosbesimi që do të zhvillohet në fund të javës.

Titujt e gazetave të sotme në kryeqytetin grek lenë të kuptohet se shanset që zoti Papandreu të qëndrojë në post javët e ardhëshme janë të pakta.

Dyshime të ngjashme për të ardhmen e tij politike shfaqin edhe njerëzit në rrugët e Athinës.

"Këto janë thjesht lojëra politike. Ai po përpiqet të qëndrojë në pushtet por shpejt do të bjerë,” thotë Dimitris Karagjeorgjopullos.

"Unë mendoj se ai e pati një shans të fundit. Për të nuk ka rrugë tjetër,” shprehet Dionisios Gjatras.

Por zoti Papandreu i qëndroi sot me forcë vendimit të tij të papritur për referendum, pavarësisht zemërimit që ai shkaktoi jashtë vendit, krizës së tregjeve kudo në botë dhe mospajtimeve brenda partisë së tij.

Qeveria e tij përballet tani me një betejë për mbijetesë, një votë mosbesimi të planifikuar për të premten dhe kritika të ashpra nga ana e udhëheqësve të irrituar evropianë në prag të takimit të G-20s në Kanë të Francës.

Pas një takimi të kabinetit që zgjati shtatë orë dhe përfundoi pas orës 3 të mëngjesit, një zëdhënës i qeverisë tha se ministrat shprehën mbështetje për planin e zotit Papandreu dhe se referendumi do të mbahet "sa më shpejt."

Megjithatë, zyrtarët thanë se dy ministra kanë ende rezerva të forta rreth idesë së një referendumi, i cili do të ishte i pari i këtij lloji në Greqi që nga viti 1974.

XS
SM
MD
LG