Lidhje

Merkel, Serbia të bëjë përparim në bisedimet me Kosovën


Merkel, Serbia të bëjë përparim në bisedimet me Kosovën
Merkel, Serbia të bëjë përparim në bisedimet me Kosovën

Kancelarja gjermane Angela Merkel, paralajmëroi Serbinë se duhet të bëjë përparim në bisedimet me Kosovën para se të mund të bëhet kandidate për në Bashkimin Evropian. Zonja Merkel i bëri komentet pas bisedimeve në Beograd me Presidentin serb Boris Tadiç. Ajo tha se kandidatura e Serbisë për në BE po hyn në një fazë vendimtare.

Kancelarja Merkel tha sot në Beograd se Serbia duhet të tregojë përparim në përmirësimin e bashkëpunimit me fqinjët e saj, sidomos me Kosovën në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Europian këtë vit.

Zonja Merkel tha se Serbia ka bërë shumë në harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së, por tani Beogradi duhet të bisedojë me Kosovën dhe të heqë dorë nga armiqësitë.

"Për të marrë statusin e kandidatit, është e nevojshme të arrihen suksese në dialogun e drejtpërdrejtë dhe që EULEX-it t’i jepet rasti të kryejë punën e tij në të gjithë Kosovën. Nuk duhet të kemi më struktura paralele, ato duhen hequr. Kjo është ajo që ne mund të imagjinojmë dhe që ne po diskutojmë. Kjo nuk është e thjeshtë dhe dëshiroj ta them shumë qartë se nuk do t’i zgjidhim të gjitha problemet me një të lëvizur. E dimë nga historia jonë gjermane, se shpesh na duhet të jemi shumë pragmatikë ", tha zonja Merkel në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun serb Boris Tadiç.

Gjermania po i bën thirrje qeverisë së Serbisë për bisedime të drejtpërdrejta me Kosovën dhe po e lidh statusin e kandidatit të BE-së për Beogradin me hedhjen e hapave të parë në këtë rrugë, të tilla si pranimi i vulave doganore të Kosovës dhe heqja e strukturave administrative paralele në veriun të banuar kryesisht me serbë.

Nga ana e tij, presidenti serb Boris Tadiç i kërkoi Gjermanisë të tregojë mirëkuptim ndaj "një çështjeje komplekse" siç e quajti ai. Ai tha se Serbia do të dëshironte të shikonte një zgjidhje krijuese.

"Sigurisht, Serbia po përballet me sfida të veçanta në Kosovë, dhe ne nuk kemi iluzione se mund të importojmë një konflikt të ri në BE, ne duam ta zgjidhim problemin me dialog. Nuk ka nevojë për askënd t’i kërkojë Serbisë që të fillojë dialogun me Prishtinën, që është interesi kryesor i Serbisë; kjo është politika e demokratike e Serbisë," tha presidenti Tadiç.

Serbia dëshiron ta marrë statusin e kandidatit të BE-së në vjeshtë, pas arrestimit të dy të akuzuarve për krime lufte, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç.

Por oferta do të varet tani edhe nga marrëdhëniet e saj me Kosovën, ku muajin e kaluar pati incidente dhune, pasi autoritetet e Prishtinës u përpoqën të marrin nën kontroll dy pika doganore në veriun e Kosovës.

XS
SM
MD
LG