Lidhje

Tiranë, nis vizita e kancelares Merkel

  • Armand Mero

Kancelarja gjermane nis nga Shqipëria turin Ballkanik. Rama: Ditë e shënuar për vendin

Në Shqipëri nisi sot vizita e kancelares së Gjermanisë Angela Merkel, e para zyrtare gjermane e këtij niveli të lartë që shkel në Tiranë.

Zonja Merkel mbërriti rreth orës 13.40 në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, prej nga më pas u nis menjëherë drejt godinës së qeverisë, ku ajo u gjend sipas axhendës në orën 13.45 minuta. Në momentin e mbërritjes, disa qindra qytetarë që po prisnin përpara godinës së kryeministrisë, e përshëndetën me duartrokitje e duke valëvitur edhe flamuj gjermanë.

Pas ceremonisë me të gjitha nderimet shtetërore, zonja Merkel e shoqëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, dhe delegacionet respektive, nisën bisedimet mes tyre. Në përfundim pritet të ketë dhe një konferencë për shtyp, ndërsa më pas kancelarja Merkel do të takohet dhe me presidentin Bujar Nishani Pas bisedimeve dypalësh do të ketë dhe një konferencë për shtyp, ndërsa më pas kancelarja Merkel do të pritet dhe nga presidenti Bujar Nishani.

Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Rama i ka uruar kancelares Merkel, mirëseardhjen në gjermanisht “Willkommen in Albanien Kanzlerin Merkel”, ndërsa e ka cilësuar ditën e sotme si “ditë e shënuar për vendin tonë vizita e parë dypalëshe e një kancelari të Gjermanisë në Shqipëri!”.

Pak ditë më parë në një intervsitë për Zërin e Amerikës edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se “vizita e kancelares gjermane në Tiranë merr një rëndësi historike, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalësh por dhe ecurinë e Shqiërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të procesit të integrimit europian.

Eshtë një vizitë e cila do të ketë në qendër të vëmendjes jo thjesht marrëdhëniet dypalëshe në planin politik, ekonomik apo cështjet e sigurisë, por edhe zhvillimet në rajon duke qenë se kancelarja do të vizitojë dhe Serbinë dhe Bosnjen pas Shqipërisë”.

Vizita e zonjës Merkel u parapri dy ditë më parë nga nënshkrimi i 6 marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Bëhet fjalë për kredi dhe grante, për një total prej afër 108 milion eurosh, në mbështetje të sektorit energjitik, atij të furnizimit me ujë dhe të financimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme në sektorin bujqësor. Tirana megjithatë sheh me interes tërheqjen e investimeve dhe sipërmarrësve gjermanë në Shqipëri.

“Po punohet me palën gjermane në sektorë strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit, sic është telekomunikacioni, energjia apo portet dhe aeroportet. Dhe ne do të shpresonim dhe do të dëshironim që të punonim në hapjen e shtigjeve të reja për të mundësuar një prani edhe më të madhe të kompanive gjermane këtu. Dhe për të bërë biseda dhe aktivitete më të strukturuara, sic dhe kanë nisur, me landet gjermane, sepse dihet pesha e tyre dhe interesi për të qenë të pranishëm në këtë pjesë të Europës”, ka shpjeguar ministri Bushati.

Vizita e kancelares gjermane pritet të mbyllet pikërisht me pjesmarrjen e saj në forumin e biznesit gjermano-shqiptar ku është parashikuar prania e një numri të madh sipërmarrësish gjermanë dhe vendas. Kryeministri Rama dhe zonja Merkel pritet t’i drejtohen me një fjalim këtij forumi. Prej vitit

1988 Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliard euro, përfshirë këtu kontributin në nivel të BE-së dhe Kombeve të Bashkuara. Është investuar në fusha të ndryshme, si në zhvillimin ekonomik, në energjetikë, në infrastrukturën ujore, në arsimin dhe formimin profesional, si dhe në zhvillimin e zonave rurale dhe urbane. Ndërsa përsa i përket aktivitetit tregtar, ai ka ardhur në rritje vitet e fundit. Gjermania është partneri i pestë i Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG