Lidhje

Në prag të takimit Trump-Merkel në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti amerikan Donald Trump pret nesër në Shtëpinë e Bardhë, kancelaren gjermane Angela Merkel në takimin e tyre të parë, për bisedime që mund të përcaktojnë të ardhmen e marrëdhënies ndëratlantike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Peter Heinlein njofton se dy udhëheqësve do t’u duhet të zbusin disa tensione para se të diskutojnë për çështje të tjera.

Gjatë fushatës, zoti Trump e akuzoi kancelaren Merkel se po “shkatërron Gjermaninë” me politikën e saj të butë ndaj refugjatëve:

"E admiroja Angela Merkelin, mendoja se ishte e jashtëzakonshme, një udhëheqëse e mrekullueshme. Mendoj se është e turpshme ajo që i bëri Gjermanisë”.

Kancelarja nuk ishte më pak e ashpër kur përshkroi urdhrin e zotit Trumë për ndalimin e udhëtimeve për njerëz nga gjashtë vende me shumicë kryesisht myslimane. Por përballë realtetit të një partneriteti të nevojshëm për të trajtuar çështjet më kritike të botës, toni i zonjës Merkel është më pajtues.

"Jam thellësisht e bindur se partneriteti transatlantic, i bazuar në vlera të përbashkëta është në interes të të gjithëve, jo vetëm për evropianët. Në këtë frymë do të jenë bisedimet e mia me Presidentin Donald Trump."

Kur të takohen në Shtëpinë e Bardhë, presidentit Trump dhe kancelares Merkel do t’u duhet të kapërcejnë mosmarrëveshje të thella për disa nga çështjet më delikate, siç është roli i NATO-s.

"Nuk jam ndonjë admirues i NATO-s, por shumë vende të NATO-s, shumë nga vendet që ne mbrojmë, janë vende të pasura. Ato nuk po paguajnë detyrimet e tyre”.

Ka shumë mundësi që zonja Merkel t’i kërkojë zotit Trump që të sqarojë paqartësitë për qëndrimin amerikan ndaj rolit të NATO-s për t’i bërë ballë agresionit rus në Ukrainë, thotë studiuesi i marrëdhënieve transatlantike, Daniel Hamilton:

“NATO-ja ka vendosur shumë nga trupat në zonën lindore të aleancës sepse shumë aleatë janë nervozë për Vladimir Putinin dhe synimet e tij. Ai aneksoi ilegalisht një pjesë të Ukrainës dhe ka dërguar trupa ruse në pjesë të tjera të Ukrainës. Prandaj pyetja që shtrohet është se cili është qëndrimi amerikan në Rusi dhe si ndikon kjo tek NATO-ja.”

Ka gjasa që edhe për çështjen e tregëtisë të arrihet një kompromis. Presidenti Trump ka thënë se preferon pakte tregtare dypalëshe, por evropianët këmbëngulin se Bashkimi Evropian përfaqëson të 28 anëtarët e saj në bisedime.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG