Lidhje

Merkel: Zgjidhja e krizës nuk duhet kërkuar te Banka Qendrore Evropiane


Merkel: Zgjidhja e krizës nuk duhet kërkuar te Banka Qendrore Evropiane
Merkel: Zgjidhja e krizës nuk duhet kërkuar te Banka Qendrore Evropiane

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se zgjidhja e krizës së eurozonës nuk duhet kërkuar tek blerjen e bonove të vendeve të dobëta nga ana e Bankës Qendrore Evropiane. Ajo i bëri komentet në një konferencë të ekonomistëve dhe politikanëve kryesorë të vendit në Berlin.

Kancelarja Angela Merkel nuk u kushtoi rëndësi trysnive për një zgjidhje të shpejtë të krizës së euros, edhe pse tensionet e tregjeve janë në rritje. Ajo argumentoi se duke e përhapur detyrimin e borxhit tek vendet e tjera, kjo mund të ulë fuqinë konkurruese të Evropës. As blerja në masë e bonove nga Banka Qendrore Evropiane, tha ajo, nuk do t’i zgjidhë problemet.

"Jam e bindur se kjo pasiguri e tregut mund të tejkalohet vetëm me zgjidhje politike, me zgjidhje të forta politike," tha zonja Merkel gjatë një fjalimi në një konferencë ekonomike në Berlin.

Zonja Merkel e kundërshton fuqimisht përdorimin e të ashtuquajturit "eurobond," - bonot e mbështetura nga të gjitha vendet së bashku, - përkrahësit e të cilit thonë se do të zgjidhin shqetësimet lidhur me aftësinë paguese të vendeve më të dobëta të eurozonës.

Në komentet e saj, Kancelarja këmbënguli se Evropa duhet t’i zgjidhë me rrënjë problemet e kontinentit duke përfshirë këtu reformat në traktatet e Bashkimit Evropian për forcimin e bashkimit monetar.

Gjermania, si ekonomia më e madhe e Evropës, u ka dhënë tonin masave të shpëtimit financiar në eurozonën e përbërë nga 17 vende, duke këmbëngulur në zbatimin e reformave të dhimbshme në këmbim të ndihmës.

Megjithatë, disa qëndrime të Gjermanisë kanë hasur në rezistencë. Zyrtarët e disa vendeve si Franca dhe Irlanda kanë argumentuar se Banka Qendrore Evropiane duhet të luajë një rol të fuqishëm për të ulur koston e huamarrjes për vendet nën presion, si Italia.

XS
SM
MD
LG